IFC vazhdon të mbështesë zhvillimin e sektorit privat në Evropë dhe Azinë Qendrore

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 15:50 | Nga

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, e zgjeroi veprimtarinë e saj në Evropë dhe Azinë Qendrore gjate vitit fiskal 2018 me investime që arritën në 2.9 miliardë dollarë, duke ndihmuar kështu në zgjerimin e ekonomive të rajonit, rritjen e aksesit në financime për bizneset e vogla dhe adresimin e ndryshimeve klimatike.

Gjatë vitit fiskal që përfundoi me 30 qershor 2018, IFC-ja ka investuar 2.26 miliardë dollarë nga fondet e saj si dhe ka mobilizuar 0.68 miliardë dollarë nga investitorë të tjerë. Investimet në rajon u orientuan drejt sektorit financiar duke rritur kredidhënien për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvilluar agrobiznesin dhe përmirësuar infrastrukturën urbane të rajonit. IFC-ja gjithashtu ka mbështetur tregtinë ndërkufitare në rajon me 1.8 miliardë dollarë, përmes 28 bankave të cilat moren pjesë në programin e saj global të financimit të tregtisë.

Angazhimet më të mëdha të IFC-së gjatë vitit të fundit fiskal ishin në Turqi (1.1 miliardë dollarë), Rumani (336.4 milionë dollarë), Serbi (190.5 milionë dollarë), Ukrainë (129.1 milion dollarë) dhe Kazakistan (111.5 milionë dollarë). Disa nga transaksionet më të rëndësishme përfshijnë: 109 milionë euro në financimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme në Serbi përmes parqeve energjetike të erës, një financim prej 120 milionë dollarë për sektorin e agrobiznesit në Ukrainë dhe një investim prej 75 milionë dollarë për të mbështetur gratë sipërmarrëse në Turqi.

Wiebke Schloemer, Drejtoreshë e IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha se për vitet në vijim fokusi i IFC-së në rajon do të jetë “mbështetja e zhvillimit të sektorit privat në hapat e parë të tij në disa nga vendet më të varfra dhe të prekura nga konfliktet, ndërkohë që do vazhdojë të punojë në vendet me të ardhura të mesme për të promovuar inovacionin dhe konkurrencën, efiçiencën e energjisë dhe infrastrukturën e qendrueshme urbane”.

IFC-ja gjithashtu ka zbatuar 79 projekte këshillimore në rajon, të cilat u përqendruan në përmirësimin e legjislacionit të biznesit, në adresimin e ndryshimeve klimatike së bashku me sektorin privat dhe në ndihmesën ndaj kompanive vendase për përmirësimin e qeverisjes korporative dhe praktikat mjedisore e sociale.

Gjatë vitit të ardhshëm fiskal, IFC-ja do të vazhdojë të përqendrohet në projekte me ndikim të lartë zhvillimor që mund të ndihmojnë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, promovimin e përfshirjes financiare dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Disa arritje nga viti i kaluar fiskal janë listuar më poshtë:

IFC-ja nxori në tregun ndërkombëtar obligacionin e parë për Uzbekistanin, duke mobilizuar 80 miliardë në monedhën vendase (baraz me 10 milionë dollarë), për të zgjeruar kredidhënien për sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Uzbekistan.
IFC-ja përfundoi programin pilot të qyteteve duke mbështetur 10 projekte infrastrukturore dhe duke lehtësuar finanicimin e tyre me 278 milionë euro.
IFC-ja investoi 75 milionë dollarë për herë të parë në obligacione në një bankë private në mbështetje të grave sipërmarrëse në Turqi.
IFC-ja ndihmoi krijimin e një fondi për efiçiencën e energjisë prej 150 milionë dollarë në Ukrainë për modernizimin e shtëpive.
IFC-ja investoi 120 milionë dollarë në bujqësi në Ukrainë.
IFC-ja ndihmoi në çertifikimin e parë për ndërtesat e gjelbra (Çertifikata EDGE – Excellence in Design for Greater Efficiencies / Përsosmëri në Projekt për Efiçiencë më të Madhe) në Turqi, për kompleksin rezidencial Greenox në Stamboll.
IFC-ja ofroi 107.7 milionë euro për të rritur energjinë e rinovueshme në Serbi nëpërmjet parqeve energjetike të erës.
IFC-ja ndihmoi sektorin privat në Uzbekistan me një projekt prej 340 milionë dollarë në mbështjetje të fermave të pambukut.

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) pjesë e Grupit të Bankës Botërore, është instutucioni më i madh global për zhvillim me fokus sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë me më shumë se 2,000 biznese në të gjithë botën, duke përdorur kapitalin, ekpertizën dhe influencën tonë në krijimin e tregjeve dhe mundësive edhe në vendet më të vështira. Gjatë vitit fiskal 2018, ne ofruam më shumë se 23 miliarde dollarë financime afatgjata ne vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të rritur mirëqenien e përbashkët.

Të ngjashme