Inaugurohet segmenti 8-kilometërsh i rrugës Zahaq – Pejë

Pejë | 26 Tet 2018 | 15:20 | Nga Besiana Dauti

Gjatë inaugurimit të segmentit 8-kilometërsh të rrugës Zahaq–Pejë, pjesë e projektit të zgjerimit të rrugës Prishtinë–Pejë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se i tërë projekti kushton rreth 10 milionë euro.

Ai shtoi se si ministër është i përkushtuar t’u krijojë lehtësira qytetarëve dhe bizneseve në lëvizjen e lirë përmes një infrastrukture moderne, raporton Ekonomia Online.

“Komunitet i biznesit, kërkoj falje për durimin që keni pasë për 3 vite rresht për pengesat që ju kemi bërë, por ju falënderoj edhe në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës të Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të mi, deputetët dhe zyrtarët e lartë për atë bashkëpunim që keni pasë dhe keni leju me pasë infrastrukturë që sot do përurojmë”.

Lekaj u zotua për ofrim të infrastrukturës moderne dhe të qasshme për të gjithë Kosovën.

“Ne si qeveri në krye me Haradinajn, si ministri, nuk po ndalemi anekënd Kosovës t’iu ofrojmë infrastrukturë moderne dhe të qasshme për ju dhe qytetarët, ajo që kemi quajtë këtë vit ndikim i infrastrukturës në zhvillimin ekonomik”.

Lekaj u tha të pranishmëve se pa zhvillim ekonomik nuk ka shtet të qëndrueshëm.

“Pejë si ju që i keni dhënë Kosovës mjaft edhe në luftë, paqe e zhvillim ekonomik, ashtu ne si qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar t’iu kthejmë ato të mira, sepse pa zhvillim ekonomik nuk ka shtet të qëndrueshëm, pa infrastrukturë nuk ka zhvillim ekonomik dhe shtet që mund të quhet shtet i lëvizjes së lirë”, tha ai.

“Kemi biseduar me komunitetet e bizneseve dhe qytetarët që e përshkojnë këtë rrugë, ne do realizojmë me përpikëri kërkesat e juaja të keni qasje në këtë segment, sepse rrugët nuk ndërtohen për individ, apo klane, por për biznese, qytetarë dhe ju them që shumë shpejt do të fillojë rrethrrotullimet aty ku ju kemi premtuar”, tha Lekaj.

“Vitin e ardhshëm, duke pasë qasje të vështirë të qytetarëve në Bjeshkë, rrugët do fillojnë segment kryesor të bashkimit që e bën me qytetarë me ato vendbanime dhe nuk do të ketë rrugë lokale, kryesore që nuk do të riparohet dhe ndërtohet sepse kështu do ketë ndikim ne zhvillimin e turizmit që pret Peja”, tha ai.

“Një segment prej 2.5 km, kanë mbetur trotuaret dhe shtresa e fundit prej 4 cm. Ky segment do të kushtojë 2.5 milionë, ndërsa ky segment tjetër që shkon dikund 7 km është rreth 8 milionë, prandaj i tërë projekti kalon 10 milionëshin dhe mendoj se ne kemi kryer një punë shumë të mirë”.

“I tërë projekti besoj se do përfundojë deri në mars të vitit të ardhshëm”, shtoi Lekaj.

Të ngjashme