Industria gjermane në recesion ekonomik

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Industria në ekonominë më të madhe në Evropë mori një tjetër goditje gjatë muajit korrik, duke shtuar më tej shqetësimet për rënien e fitimeve të korporatave.

Indeksi i Industrisë ra në 43.1 pikë nga 45 pikë që ishte muajin paraprak dhe njëkohësisht është niveli më i ulët në shtatë vitet e fundit. Të dhënat ishte poshtë parashikimeve të analistëve dhe sugjerojnë një kontraktim të sektorit, që do të thotë se mundësitë për një recesion në Gjermani vijojnë të rriten.

Valuta evropiane humbi pikë përballë dollarit amerikan pas publikimit të të dhënave, duke u tregtuar pranë nivelit 1.1130 dollarë. Raporti është një goditje tjetër për ekonominë gjermane dhe dobësia ka qenë më e theksuar në sektorin e automjeteve.

Kompanitë si Continental apo Daimler po ndjejnë goditjet nga dobësimi i kërkesës botërore dhe nga tranzicioni drejt automjeteve elektrike. Por, ka shenja rreziku edhe në sektorë të tjerë, me gjigantin gjerman të kimikateve BASF, që paralajmëroi për rënien e fitimeve.

Një tjetër rrezik vjen nga moti i nxehtë dhe mungesa e reshjeve, që mund të kufizojnë trafikun e anijeve në lumin Rhine, një arterie kyçe për biznesin.

Të dhënat shtojnë më tej presionin ndaj Bankës Qendrore Evropiane që të ofrojë stimuj shtesë. Gjithashtu, ka pasur shenja shqetësuese edhe për prodhimin në Francë, pasi indeksi shënoi rënie gjatë korrikut dhe sugjeron për një stanjacion të ekonomisë. Ndërsa indeksi që mat të gjithë industrinë e Eurozonës ra në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme