Iniciativa për ndryshimin e TVSH-së, ekspertët: Ligji të ndryshohet rrënjësisht, jo sa për sy e faqe

Prishtinë | 13 Qer 2021 | 08:07 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës javë më parë ka deponuar iniciativën ligjore për ndryshime në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të ketë lehtësira për sektorin privat. E sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike ky Ligj duhet të ndryshojë vetëm nëse është në dobi të sektorit privat dhe jo vetëm sa për sy e faqe.

Ata pohojnë se duhet të ketë një komunikim digjital ndërmjet ATK-së , Doganës dhe Policisë kufitare, e në rast se kjo nuk ndodhë atëherë do krijohet evazion dhe korrupsioni do të jetë i pranishëm.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ndryshimi i Ligjit për TVSH-në ka qenë kërkesës e kahmotshme, e që nëse kjo kërkesë e PDK-së miratohet në Kuvend, do të krijonte një frymëmarrje të lehtë për sektorin privat.

 “Besoj që është një kërkesë e kaharshne e sektorit privat që të mos paguhen obligimet për import në kufi por të barten në brendi. E tëra kjo është një mundësi që do të ndikonte te afarizmi i sektorit privat sepse përpos asaj që i paguajnë obligimet ndaj prodhuesit ata me automatizëm kur të hyjnë këto produkte në Kosovë ata duhet të paguajnë edhe tatimin në vlerën e shtuar dhe obligimet e tjera të transportit është një barr për sektorin privat, dhe nëse një ide e tillë do të miratohet në parlamentin e Kosovës duhet të jetë një frymëmarrje e re për sektorin privat”.

Por për t’u implementuar ky Ligj, Gërxhaliu thotë se duhet të ndodhin investime në infrastrukturë informacioni.

“Mirëpo duhet të kuptohet që duhet të kemi digjitalizim, duhet të kemi nië fiskalizim të mirëfilltë sepse edhe më tutje Kosova nuk e ka të përfunduar procesin e fiskalizimit dhe në qoftëse nuk ka një komunikim digjital ndërmjet ATK-së, Doganës së Kosovës dhe Policisë kufitare atëherë nëse kjo nuk ndodh prapë do të kemi evazion, do të kemi korrupsion, prandaj besoj që implementimi i saj është shumë me rëndësi por që të implementohet një ide e tillë duhet investime në infrastrukturë informacioni. Kjo ka të bëjë edhe me uljen e pragut të vlerës së shtuar në produktet e shportës së qytetarëve, në ketë drejtim çdo hap duhet të duartrokitje”.

“Duhet të jetë një frymëmarrje që kishte me pas efekte pozitive në të bërit biznes, por në veçanti lehtësi për sektorin privat”, tha ai për EO.

Por ndryshe mendon drejtori ekzekutiv në Këshillin e Investitorëve Evropianë në Kosovë, Emrush Ujkani.

Ai thotë që PDK-ja duhet ta ketë qasjen më përmbajtësore karshi kësaj kërkese, në mënyrë që të ketë një Ligj të ri nga fillimi dhe jo vetëm “kozmetikisht”.

“Nevoja për ndryshimin e legjislacionit është që duhet të rrjedhë vetvetiu dhe ne jemi të interesuar që ky Ligj të ndryshojë por që të mos jetë vetëm çështje kozmetike. Së paku disa nga informacionet përkojnë më tepër me karakterin e ndryshimit kozmetik se sa përmbajtësor. PDK ka të drejtë, dhe ata duhet ta kenë qasjen më përmbajtësore dhe që ky Ligj për tej asaj që të ketë një amandamentim të jetë një ligj i ri nga fillimi”.

Ujkani nuk po e konsideron të domosdoshme këtë ndryshim, e që sipas tij kjo do të duhej të ndodhë vetëm për ndonjë arsye të madhe. Por, ai thotë se do të mbështesin çdo iniciativë që është në dobi të sektorit privat.

“Ligji për TVSH nuk është diçka që nuk është më së miri është legjislacion që ofron kushte të mira për të bërë biznes, por edhe për ata që janë të interesuar që t’i kryejnë obligimet e veta në raport me shtetin. Unë nuk e shoh si të domosdoshme ndryshimin e këtij legjislacioni vetëm nëse ka ndonjë arsye të madhe dhe e cila shkon në favor të atij se çka është sektor privat”.

“ne do të mbështesim çdo iniciativë nëse ka ndryshim në përmbajtje në interes të sektorit privat e jo të atyre iniciativave që janë të karakterit kozmetik. Nëse ka rritje të vlerave unë mendoj që nuk do ‘ti kontribuon uljes”.

Megjithatë, Ujkani nuk është optimist se kjo kërkesë e PDK-së do të marr mbështetjen edhe nga mazhoranca, pasi që sipas tij pozita nuk është e interesuar.

“Unë gjykoj qe ajo vjen nga një parti opozitare që nuk i ka numrat dhe nëse mazhornaca nuk ka interes dhe unë nuk besoj që ka interes tash për tash atëherë mundësitë për të kaluar janë shumë të vogla, nëse një iniciativë është mirë e menduar dhe nënunteres të sektorit privat në si këshill do ta mbështesim”.

Deri në vitin 2015, TVSH-ja, ka qenë 16 për qind. Ndërkaq, nga viti 2015, në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.

Disa nga shërbimet dhe mallrat që tatohen me 8 për qind në Kosovë janë faturat e shpenzuara të ujit, ato të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, pastaj prodhimet nga drithërat dhe qumështi, vajrat për gatim e të tjera.

Të ngjashme