Ish-ministri Hasani pas anulimit të Zonës Ekonomike të Malishevës: Vendim i drejtë i qeverisë Kurti

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Ish- ministri i Tregtisë, Bajram Hasani e ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës.

Hasani ka thënë se ky është një vendim i drejtë që duhet të duartrokitet.

Ky është postimi i plotë i Hasanit:

Ndonëse vet kam qenë iniciues i themelimit të kësaj zone ekonomike, vlerësoj se është një vendim i duhur. Kur i kemi nisur procedurat për themelimin e kësaj zone, por edhe zonave në qytetet tjera qëllimi ka qenë shumë i shëndoshë, që bizneseve tu krijohen lehtësira dhe kushte për investitorët e huaj. Në bisedat me kryetarin e kësaj komune, më është thënë se për krijimin e kësaj zone ekonomike, ka mjaft tokë në pronësi të komunës. Atë botë patëm premtuar 3-4 milionë investime në infrastrukturë. Kur erdhi kërkesa nga Komuna e Malishevës për tokë privat, na u pat thënë që toka është me çmim të lirë, 100 ha për 200 mijë euro, atëherë më bindën ta procedoj për në qeveri shpalljen e Zonës me Interes të veçantë.

Autorizimet për elabortin e shpronësimit ishin kompetencë e Ministrisë ( marrëveshja e MTI- se me Komunën e Malishevës), por pas largimit tim pasardhësi ja barti komunës me aneks kontratë. Unë mendoj se aty filloi keqpërdorimi dhe devijimi i projektit, me qëllim që të përfitojnë grupe të caktuara të interesit. Nuk e kisha menduar se dikush mund të shkojnë aq larg dhe shpronësimi të kushtojë 7 milionë.

Ndonëse jam pjesë e opozitës, e mbështes çdo vendim të drejtë të kryeministrit Albin Kurti.

Të ngjashme