Ish-ministri Hasani thotë se Telekomi po shkatërrohet qëllimshëm

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka shprehur bindjen se Telekomi i Kosovës po shkon qëllimisht drejt shkatërrimit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, ka kujtuar se “gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Komisionit ndërministror ka propozuar që të hartohet një plan strategjik se si të dilet prej krizës financiare”.

“Telekomi i Kosovës në vazhdimësi pësonte humbje të mëdha. Atë kohë kam kërkuar nga bordi dhe kryeshefi që të hartohet një plan konkret për të dalë nga kriza. Unë kam propozuar: zvogëlimi i shpenzimeve (qiraja) dhe zvogëlimi i pagave të punëtorëve, pse jo edhe numri”, ka thënë Hasani.

“Po ashtu kam kërkuar që të sillet lista e të punësuarve në Telekom sepse aty ka njerëz që mbajnë pozita shtetërore dhe janë edhe në listën e Telekomit që marrin pagë. Ofrimi i listave është kundërshtuar ashpër. Përderisa listat nuk na jepeshin aty vazhdonte të rritej numri i punëtorëve. Vetëm brenda një muaji janë punësuar rreth 200 punëtorë. Ky është një tregues se Telekomi po shkon qëllimshëm drejt shkatërrimit vetëm që të privatizohet apo për të iu falur ndonjë kompanie”, ka thënë më tej ai.

Kohavisioni ka raportuar sonte në Lajmet e Mbrëmjes, se si nga një ndërmarrje publike, që parashihej të shitej nga 300 deri 600 milionë euro, vlera e Telekomit të Kosovës ka rënë në vetëm 22 milionë euro, dhe atë më gjithë infrastrukturën përcjellëse.

Të ngjashme