Ish-ministri kërkon largimin e Kosovës nga CEFTA

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Ish- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka kërkuar që Kosova të tërhiqet nga CEFTA, për arsye se Kosova përfaqësohet si UNMIK.

“Pas zhvillimeve të fundit në vend përkitazi me raportet tregtare me Serbinë dhe Bosnjën dhe dëmet e shkaktuara nga shtetet anëtare të CEFTA’s të cilat se kanë njohur vendin tonë, mendoj se është koha e fundit që Kosova të tërhiqet nga kjo marrëveshje, sepse sot juridikisht jemi të përfaqësuar si UNMIK. Këto shtete janë përfituesit kryesor, ndërsa Kosova ka pësuar vetëm humbje dhe kurrë nuk jemi trajtuar të barabartë.”, ka shkruar Hasani në Facebook.

Reagimi i tij vjen pasi që gjatë takimi të CEFTA- s, përfaqësuesit e Serbisë e kanë quajtur Republikën e Kosovës, “Kosova dhe Metohija”, ky veprim ka bërë që Përfaqësuesi i Kosovës që kryesonte takimin e CEFTA-s, Durim Limaj që ta ndërpresë takimin. UNMIK  kishte nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s në emër të Kosovës më 19 dhjetor 2006.  Kosova ishte bërë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007, tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësim. Marrëveshja për anëtarësim ishte nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Tri vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe më tutje Kosova përfaqësohet në CEFTA përmes UNMIK-ut.

Më 2008 institucionet kosovare kanë ndërruar edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Mirëpo ky akt i vendosjes së simboleve të reja, nuk ishte përcjellur edhe me veprime tjera konkrete, siç është insistimi për tu përfaqësuar si shtet i pavarur dhe jo përmes UNMIK-ut.

Të ngjashme