Italianët të interesuar për investime në energji dhe riciklim të mbeturinave

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 15:44 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka ka pritur sot në takim një delegacion të investitorëve italianë të shoqëruar nga Giovanni Pontotti – Konsul Nderi i Kosovës në Itali, me të cilët bisedoi për mundësitë e investimeve në Kosovë, specifikisht në sektorin e energjisë, transmeton Ekonomia Online.

Me këtë rast, sipas një komunikate nga MZhE, ministri Lluka ka njoftuar afaristët italianë me mundësitë që ofron vendi për investime të huaja, duke nënvizuar masat që Qeveria ka ndërmarrë në avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale për të përmirësuar mjedisin biznesor.

Kreu i MZhE-së ka potencuar se në këtë linjë është edhe Ligji per Investime Strategjike, i cili ka për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve, ku energjia, por jo vetëm, ka prioritet.

Ministri njoftoi afaristët me resurset që ofron vendi në sektorin e energjisë, dhe ftoi ata të investojnë në burimet e ripëtëritshme dhe efiçiencë të energjisë si fusha me potencial të lartë për zhvillim ekonomik.

“Nga ana e tyre, investitorët italianë kanë shprehur interesimin e tyre për investime në energji me erë dhe me riciklimin dhe menaxhimin e mbeturinave. Për këtë ata janë dakorduar të aplikojnë si investitorë strategjik, ku investimet priten të jenë rreth 37 milionë euro dhe rreth 100 vende pune”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme