Kadrijaj: Sektori i ndërtimtarisë do të goditet më së shumti nga pandemia

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Pas situatës së krijuar në vend me virusin COVID-19 nga njohësit e çështjeve ekonomike por edhe nga vet institucionet financiare është paralajmëruar ulje e zhvillimit ekonomik në vend.

Madje së fundmi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadrijaj i ka thënë “Zërit”, që rënia ekonomike do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë.

“Duke marr parasysh që FMN-ja dhe BQK-ja janë institucione me kredibilitet dhe që kanë qasje në treguesit ekonomik vlerësoj që përafërsisht do të sillet kjo përqindje e rënies ekonomike por do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë”, ka thënë ai.

Sipas tij sektori i ndërtimtarisë pritet që të jetë më i godituri, i pasuar edhe nga sektor të tjerë përfshirë edhe aktivitetet bankare.

“Pasi që sektori i ndërtimit në Kosove është më i zhvilluari dhe duke qenë dëshmitar që me masat e qeverisë është ndaluar ky sektor ekonomik kështu që ndikimi dhe dëmi më i madh do të jetë në sektorin e ndërtimit dhe të investimeve kapitale duke u pasuar nga aktiviteti bankar ku nuk do ketë klientel për shkak të rënies së aktivitetit ekonomik, pastaj sektori i bujqësisë dhe tregtisë e të ngjashme”, ka thënë ndër të tjera Kadrijaj.

Kadrijaj po ashtu ka theksuar se pasoja do të ketë edhe në uljen e mirëqenies së qytetarëve dhe rënie të papunësisë.

“Për fat jo të mirë ne si popull jemi bërë imun ndaj përballjes në kushte jo të favorshme ekonomike dhe infrastrukturën ligjore por si një vend që ndikohemi nga importi dhe tregtia në përgjithësi do të ketë pasoja në të gjithë sektorët ekonomik e cila do të determinoj ulje të Bruto Produktit Kombëtar, rënie të papunësisë dhe njëherësh ulje të mirëqenies tek qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme