Kalimi nga ekonomia tradicionale tek ajo digjitale mundëson fitim më të madh

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 14:21 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konferenca “Digitalks” ka vazhduar me panelin e ndërmarrësisë “Ndikimi  i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, në të cilin përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor diskutuan për rolin dhe rëndësinë e teknologjisë së avancuar dhe të zhvillimit të ekonomisë digjitale.

Nebi Hoxha, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore, tha se Bashkimi Evropian ka ndihmuar Ballkanin Perëndimor me një fond prej 9 miliardë eurosh për teknologji të re dhe kjo, sipas tij, tregon se sa është e nevojshme teknologjia e avancuar për secilin vend, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi potencial duke pasë parasysh moshën mesatare të vendeve tona. Nëse jemi në sinkronizim dhe bashkëpunim të mirëfillitë, do arrijmë rezultatet e kërkuara shumë më shpejt”, tha Hoxha.

“Me digjitalizim dhe teknologji arrijmë kohë dhe fitim më të madh. Efikasiteti pa teknologji dhe digjitalizim është i pamundur”, tha ai.

Hoxha tha se fondi që Qeveria e Maqedonisë ka ndarë për inovacion është konsumuar shpejt për shkak të interesit të madh.

“Qeveria e re e Maqedonisë ndau fondin për inovacion prej 10 milionë euro për ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe kjo vlerë u konsumua për një kohë të shkurtër dhe shpejt, për shkak të interesit të madh“, shtoi Hoxha.

Ivan Saveliq, Oda Ekonomike e Malit të Zi, tha se zhvillimi i teknologjisë nuk ka të ndalur, në vazhdimësi ka diçka të re për të krijuar, raporton EO.

“Duhet të kalojmë nga ekonomia që bazohet në burime si thëngjilli e xehet e ndryshme, nga ajo tradicionalja tek ekonomia e re që bazohet në digjitalizim e në teknologjinë në informacion dhe këto zbulime dhe zhvillime po vijnë shumë shpejt dhe njerëzit që janë të lindur në vitin 2000 nuk do të dinë se çfarë kanë qenë disa pajisje teknologjike që kanë qenë në kohën tonë si kasetofoni dhe teknologjia po vazhdon të zhvillohet edhe më tej duke na lënë gjithnjë e më të surprizuar”, tha Saveliq.

Linda Shala, afariste, tha se qytetarët e Kosovës edhe pse nuk kanë lëvizje të lirë për në shtetet tjera, kanë qenë në hap me teknologjinë përmes internetit, pasi që shumica e kosovarëve kanë qasje në internet dhe dinë si ta përdorin, raporton EO.

“Në Kosovë veprojmë në një treg jashtëzakonisht të vogël, të varfër. Ajo çka është pjesa më pozitive që ka ndodhë te ne është se shumica e bizneseve ekzistuese dhe ato te reja me potencial maksimal i kanë përcjellë trendet e reja dhe janë munduar me u lidhë me këto trende të reja të zhvillimit të ekonomisë digjitale”, tha Shala.

Carol Hamilton, drejtoreshë e Ndërmarrësisë në Universitetin “James Madison”, tha se studentët e këtij universiteti punojnë me pajisje të teknologjive të ndryshme duke i përgatitur në vazhdimësi që të dinë të operojnë me pajisje dhe teknologji të reja dhe të ndryshme.

“Synojmë t’i bëjmë studentët me mendu në mënyrë më të gjerë dhe të kemi perspektiva të ndryshme, përfshirja e teknologjisë në të gjitha klasët e mësimit, në mënyrë që studentët të ndihen më rehat me teknologjinë dhe pajisjet e ndryshme dhe të bashkëpunojmë me mësimdhënës me studentë të tjerë në projekte të ndryshme”, tha Hamilton.

 

Të ngjashme