KEK sqaron pse po bëhen shpimet në Kuzmin, thotë se morën licencë dhe u njoftuan banorët

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka sqaruar çështjen e shpimeve që po bëhen në fshatin Kuzmin të Fushë-Kosovës, me qëllim të hulumtimeve gjeologjike dhe gjeomekanike të masave potenciale të qymyrit.

“Për qëllim të hulumtimeve gjeologjike dhe gjeomekanike të masave potenciale të qymyrit në zonën e mundshme të eksploatimit linjitit (zona ashtuquajtur Jug), KEK është duke realizuar një program të shpimeve hulumtuese në disa sipërfaqe shumë të kufizuara në zonën kadastrale të Fushë-Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë (nr. 10/57)”.

“Për realizmin e këtij programi, është lëshuar edhe licencë hulumtuese nga Komisioni Pavarur i Minierave dhe Mineraleve (KPMM)”, thuhet në sqarimin e KEK-ut, ku është bashkëngjitur dhe licenca.

Duke pasur parasysh se gjatë realizmit të këtij programi nevojitet qasja edhe në disa prona private, KEK-u thotë se që nga fillimi këtij aktiviteti është formuar komision i veçantë që merret me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve eventuale që mund të shkaktohen për pronarët privatë.

“Në parim, të gjithë pronarët njoftohen paraprakisht rreth aktiviteteve eventuale në pronat e tyre private. Në lidhje me këtë, konkretisht në fshatin Kuzmin, nesër me 24.04.2020, ora 10, është caktuar një takim me të gjithë banorët të cilët potencialisht mund të afektohen nga ky aktivitet, lidhur me procedurat e kompensimit të dëmeve eventuale”.

Të ngjashme