Kelmendi: Mos të përdoret mbështetja e domosdoshme financiare, për interesa populiste

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti dhe biznesmeni i njohur, Ramiz Kelmendi ka thënë se mbështetja Financiare, në kohën e  betejës me pandeminë e panjohur COVID 19, është domosdoshmëri për Qytetarët, të punësuarit dhe bizneset, me çfarë është paraparë të krijohet Bazë Ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mbledhjen që do mbahet me 14 prill 2020.

“Andaj, për mos të krijuar një pasqyrë që, klasa politike nuk qenka unike në këtë kohë pandemie dhe duke e ditur se në këtë debat do ketë edhe kritika me vend por edhe ofendime të ndryshme, duhet së vepruari konform obligimeve dhe kërkesave imediate për vendin”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai është shprehur se është e nevojshme që të autorizohen shefat e grupeve Parlamentare që të koordinojnë mes vete propozimet e masave, të cilat kanë qëllimin e njëjtë.

“Vlerave Financiare të propozuara publike nga partitë politike, tu gjendet rezultanta e propozimeve dhe të shkojnë në Kuvend për tu votuar pa debat. Vendimet të jenë gjithëpërfshirëse, të qarta dhe pa anime politike biznesore. Vendimet të jenë të shpallura nga organet e Kuvendit në mënyrë që mos të përfitojë politikisht asnjë subjekt politik apo individ”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka theksuar se mjetet financiare që do t’i përfitojnë qytetarët, punonjësit dhe bizneset, janë kontribut dekadash të vet atyre.

“Kreditë dhe buxheti do jenë burimi kryesorë i këtyre mjeteve për financime. Andaj, qytetarët dhe bizneset do jenë, po ata të cilëve këto kredi do tu bien mbi supe për t’i kthyer. Nga këto fakte, konkludojmë se nuk ka vend e as arsye për përfitime politike nga asnjë institucion, individ apo parti politike, sepse këtu duhet kuptuar se jemi një” tha Kelmendi.

Të ngjashme