Bizneset: Ligji për faljen e borxheve s’i arriti efektet e pritura

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 12:49 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqëria civile dhe bizneset kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për faljen e borxheve publike, për shkak se ligji deri më tani nuk ka arritur efektet e pritura.

Qeveria duhet të shtyjë afatin për faljen e borxheve dhe të ofrojë edhe alternativa të tjera, pa kushtëzime, për ta lehtësuar problemin.

Kështu u tha në tryezën me temë: “Zbatimi i Ligjit për Faljen e Borxheve Publike. Çka pas datës 3 shtator?”, të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS).

Ibrahim Rexhepi, drejtor i STRAS-it, tha se çdo shtyrje pa bërë ndryshime të tjera në mënyrën e trajtimit të borxheve dhe borxhlinjve, si dhe vjeljes së tyre, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi, raporton Ekonomia Online.

“STRAS sugjeron që edhe një herë të mendohet për alternativa më të mira për mbylljen e historisë së borxheve, por pa rrezikuar borxhlinjtë. Nëse Qeveria e Kosovës ka vullnet për shtyrjen e afatit për faljen e borxhit, atëherë duhet të ofrojë edhe alternativa të tjera që lehtësojnë problemin”, deklaroi ai.

“Ligji ka qenë shumë i qartë, por është një problem se ligji është nxjerrë në një ambient të papërshtatshëm. Ligji ka për qëllim faljen e një pjese të borxheve që kanë qytetarët ndaj shtetit – agjencive taksambledhëse dhe ndërmarrjeve publike – si dhe arkëtimi i borxheve për periudhën pasuese 2009-2014. Por, kjo bëhet me kusht, prandaj nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për amnisti fiskale”, tha Rexhepi.

Mirëpo, Ministria e Financave nuk ka dhënë ndonjë sinjal pozitiv ndaj kësaj kërkese. Vetë ministri i Financave, Avdullah Hoti, ditë më parë gjatë një interviste për Ekonomia Online ka thënë se përfundimisht 2 shtatori do të jetë dita e fundit e aplikimeve të faljes së borxhit.

Agim Dibrani, përfaqësues nga Ministria e Financave, tha se mbledhja e borxheve është një sfidë, e cila ka detyruar Qeverinë që të marrë një vendim, i cili mund të ketë efekte pozitive sa i përket borxheve nga viti 2009 e këtej.

“Do të ishte një motiv për qytetarin, sepse e dimë që ato borxhe deri në 2008 falen drejtpërsëdrejti. Qëllimi i ligjit ishte falja e borxheve ndaj institucioneve dhe qytetarëve”, tha ai.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, tha se ligji në fjalë ka pasur efekte pozitive pasi që iu ka mundësuar tatimpaguesve lehtësira.

“Efekti i këtij ligji dhe dobitë kryesore të këtij ligji janë nëse tatimpaguesit kanë vështirësi financiare, kanë borxhe ndaj institucioneve dhe në këtë rast ndaj ATK-së e shfrytëzojnë duke bërë pagesën e plotë në rast se kanë obligime për periudhën 2009-2014 që të përfitojnë të gjitha përfitimet maksimale që ofron ky ligj. Ato janë: Nëse bëhet pagesa e plotë, falen të gjitha borxhet, përfshirë ndëshkimin, interesat, gjobat për periudhën 2008 dhe ndëshkimet interesat dhe gjobat për periudhën 2009-2014. Është rast unik që tatimpaguesit me vështirësi financiare përfitojnë nga ky ligj”, theksoi ai.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se Ligji për Faljen e Borxheve Publike ende s’i ka arritur efektet e veta dhe ka mbetur kohë e shkurtër që të arrijë ndonjë efekt më të madh.

“Sipas hulumtimeve që Aleanca e Bizneseve i ka bërë gjatë kësaj periudhe, por edhe sipas sugjerimeve që ne i kemi dhënë Ministrisë së Financave qysh në fillim, ligji duhet të jetë, por jo me kushtëzime”.

“Ndoshta ka qenë ky një nga problemet më të mëdha. Ne kemi dhënë rekomandime Qeverisë që kushtëzimet të hiqen nga ligji, nëse duan të arrijnë efekt. Kjo nuk ka ndodhur, por ndodhi e kundërta që ne sot kemi një përmbushje të këtij synimi tepër të vogël”, deklaroi Shahini.

Të ngjashme