Kërkohet zgjidhje për barrierat tregtare mes Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë | 06 Kor 2019 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Bizneset nga Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë barriera tarifore e jotarifore nga autoritetet për eksportimin e mallrave në kufi dhe për qasje në tregun e tyre.

Në muajin maj në Tiranë, dy qeveritë shqiptare janë dakorduar që të hiqen disa prej këtyre barrierave deri në muajin korrik.

Ndonëse, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi pranon shqetësimet e autoriteteve kosovare, sipas tij këto burokraci nuk mund të zgjidhen me ultimatum. Në anën tjetër, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka paralajmëruar masat të cilat shumë shpejt Qeveria e Kosovës mund t’i marrë ndaj shteteve anëtare të CEFTA-s.

Ministria Shala thotë se Qeveria respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ketë qasje të barabartë në raport me Kosovën ndaj secilit shtet anëtar të CEFTA-s.

“Do ta mbajmë qasjen e njëjtë siç e kanë ato vende në raport me Republikën e Kosovës… I kemi edhe disa barriera të cilat janë tarifore e që janë të vendosura nga ana e Republikës së Shqipërisë siç është taksa për rrugë, taksa e skanerit, e ne në dy takimit e fundit me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë kemi kërkuar që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejt që këto taksa të implementuara nga Republika e Shqipërisë mos të reflektojnë në të bërit biznese ndërmjet dy shteteve tona”, pohon ministri Shala.

Ambasadori Qemal Mixnozi duke thënë se kanë shënuar rritje këmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, pranon se skaneri në kufi është një problematikë, por që kërkon kohë për t’u zgjidhur.

“Natyrisht skaneri është një problem, është ngritur kjo çështje. Autoritetet e Kosovë kanë kërkuar për mallra që nuk vijnë nga Republika e Shqipërisë, transit, të shikohet mundësia që të hiqet dhe kjo po studiohet nga ana e autoriteteve të Shqipërisë. Është një detyrim që nuk mund të kalohet me një vendim qeverie për t’u hequr. Është problematikë, nuk mund ta themi që nuk ndikon, por është një çështje që po e shikojmë me kujdes… Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë janë ‘online’ për zgjidhjen e këtij problemi… Ne kemi vitin e parë eksperimental(me taksën rrugore), për maunat që kanë një fluks më të madh ka një zbritje deri 30 përqind, megjithatë edhe kjo është ngritur si shqetësim dhe po shikohet, por jo në mënyrë ultimative siç e përmendin disa institucione”, thotë Minxhozi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për KosovaPress, se është e drejt e shtetit të Kosovës të merr masa ndaj Shqipërisë nëse nuk ka vullnet për zgjedhjen e barrierave në kufi.

Rukiqi thotë se janë në proces të organizimit të mbledhjes së informacioneve nga kompanitë sa i përket barrierave që shfaqen me Shqipërinë. OEK ka shpërndarë pyetësorin tek ato kompanitë që punojnë në tregun e Shqipërisë.

“Këto marrëveshje të arritura mes qeverive janë vetëm një pjesë e problemeve. Nuk është që nuk ka progres për disa pika të atyre marrëveshjeve, por megjithatë ka shumë çështje të hapura të cilat nuk nënkuptojnë vetëm një vendim apo vetëm një marrëveshje mes dy qeverive, por që duhet të ndryshohen edhe shumë ligje të cilat mundësojnë që të realizohet ajo që synohet tregu i përbashkët… Çdo masë reciproke funksionon në tregti, mirëpo duhet të shterën të gjitha mundësitë për me parë se a ka vullnet që të eliminohen këto barriera. Nëse nuk ka vullnet, çdo vend e ndjek të drejtën e reciproitetetit në marrëdhënie tregtare”, deklaron Rukiqi.

Ndërsa, në lidhje me deklaratat e ministrit të MTI-së, Endrit Shala për shtimin e tarifave ndaj biznesit shqiptar, kryetari Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka shprehet se tashmë nuk është koha për presione, por për zgjidhjen e problemeve.

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranën apelon bizneset që të dorëzojnë të gjitha ankesat që kanë në lidhje me barrierat që ekzistojnë midis dy vendeve deri në datën 15 korrik.

Ndryshe, marrëdhëniet tregtare Shqipëri –Kosovë mbeten të zbehta edhe pse muajt e fundit kanë pësuar rritje me 40% për shkak të taksës që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Shqipëria ka eksportuar në Kosovë produkte në vlerë 205 milionë euro në vitin 2018, ndërsa Kosova në Shqipëri në vlerë 65 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme