Kërkohet zonë e lirë ekonomike në Vushtrri

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 08:47 | Nga

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejohet krijimi i zonës së lirë ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë në një sipërfaqe të mjaftueshme për vendosjen e shumë bizneseve, të cilat do të krijonin vende pune për të rinjtë e vendit.

Edhe Vushtrria, sikurse Mitrovica, Gjakova dhe Drenasi, së shpejti do të bëhet me zonë të lirë ekonomike pasi që kryetari i ri i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vënë në prioritet të punës së tij krijimin e zonës ekonomike në një hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e shumë bizneseve në Lumadh të Vushtrrisë. Në këtë hapësirë, siç ka deklaruar i pari i Vushtrrisë, synohet vendosja e bizneseve të cilat do t’i zhvillojnë veprimtaritë e tyre, ku do të krijonin vende të punës për të rinjtë e Vushtrrisë.

Lumadhi është fshati që shtrihet buzë rrugës rajonale Mitrovicë – Prishtinë, ndërsa hapësira për vendosjen e bizneseve është e mjaftueshme dhe shumë e përshtatshme për kompanitë prodhuese dhe bizneset e interesuara t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike në këtë hapësirë. Kryetari Tahiri ka deklaruar se ka adresuar kërkesën tek ministritë përkatëse dhe tani pritet që të jepet leja. Gjithashtu, sipas Tahirit, Komuna është e gatshme të investojë në ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse në zonën e lirë ekonomike në Lumadh, por që pjesën më të madhe të mjeteve për ndërtimin e infrastrukturës së zonës do të duhet ta financojë Ministria e Industrisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

I pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një takim që ka pasur me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës ka adresuar edhe kërkesa të tjera, të cilat Tahiri i ka cilësuar parësore gjatë mandatit të tij qeverisës me Komunën e Vushtrrisë. “Ne jemi të interesuar dhe të vendosur që të marrim leje për krijimin e zonës së lirë ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë, pasi që ajo pjesë është ideale për veprimtari të subjekteve të ndryshme ekonomike. Hapësira gjendet pranë rrugës rajonale dhe shtrihet në disa hektarë, si dhe ka pozitë ideale. Me ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Lumadh krijohen kushte për të gjitha bizneset e interesuara dhe në këtë mënyrë do të krijohen shumë vende pune për të rinjtë e komunës së Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme