Egoja e tepërt dëmton biznesin tuaj

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Egoja e shëndetshme është shumë e rëndësishme në ecurinë e një biznesi dhe në të pasurit sukses. Është pikërisht ajo e cila ju jep vetëbesimin e nevojshëm për të rrezikuar në sfidën e radhës, por mbi të gjitha, ajo duhet të mbahet nën kontroll.

Më poshtë, Ekonomia Online ju njeh me 8 situata në të cilat egoja ndikon negativisht ne ecurinë e një biznesi:

Nuk të lejon t’i pranosh se ke shumë nevojë për të mësuar

Çdo njeri, sa do i suksesshëm qoftë, ka nevojë të mësojë pa mbarim, ndaj t’i pranosh vetes që ke nevojë për të mësuar gjëra të reja, nuk duhet të konsiderohet në asnjë mënyrë si dobësi, sepse i gjithë rrugëtimi drejt suksesit është një proces i vazhdueshëm të mësuari.

Të detyron të mos marrësh në konsideratë mundësi të ndryshme

Ju mund të mendoni se është pikërisht egoja ajo që do t’ju shtyjë drejt zgjedhjes më të mirë të mundshme në lidhje me biznesin tuaj, Por pikërisht këtu duhet të tregoheni të kujdesshëm, sepse këtu mund të gaboni dhe të lini t’ju shpëtojnë ide inovative me të cilat biznesi juaj mund të kishte ecur shumë përpara.

Mbivlerësim i aftësive tuaja

Mundohuni të mos mbivlerësoni aftësitë tuaja dhe të mendoni se jeni në gjendje për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi që mund të keni. Gjithsekush në një kompani ka një rol të caktuar dhe të gjithë së bashku kontribuoni në suksesin e kompanisë suaj. Mos mendoni se ju mund të bëni profesionin e gjithkujt vetëm e vetëm sepse jeni lider i një kompanie të caktuar, spse nëse do ta bëni një gjë të tillë, atëherë egoja juaj do të ketë fituar dhe ju do të keni humbur.

Mikromenaxhimi

Nëse ju doni të keni kontroll mbi gjithçka atëherë duhet të tregoheni të kujdesshëm të mos bini në kurthin e mikromenaxhimit. Padyshim që ju doni të kujdeseni që biznesi juaj të këtë një ecuri sa më të mirë të mundshme, por as ju dhe as punonjësit tuaj nuk janë perfekt prandaj do të ketë edhe raste kur pritshmëritë të mos përmbushen dhe një gjë e tillë është më se e pranueshme. Por në vend që vetëm të mbikëqyrni punonjësit tuaj, dhe t’i kritikoni ata, mundohuni të krijoni një kulturë kompanie ku punonjësit tuaj të kenë besim tek ju dhe të mos kenë frikë nga reagimi juaj.

Mikromenaxhimi nuk është aspak efikas. Jepini punonjësve tuaj lirinë e nevojshme që ata të tregojnë aftësitë e tyre, pa u ndjerë nën presion të vazhdueshëm.

Egoja nuk do t’ju lejojë që të kërkoni ndihmë

Të gjithë në i njohim historitë e sipërmarrësve të suksesshëm.

Por një çështje e cila nuk është se ka marrë vëmendjen mediatike që i takon, është se pas çdo sipërmarrësi të suksesshëm ka një asistent po aq të suksesshëm. Jobs ka pasur Wozniakun. Gates ka pasur Allenin, e kështu me radhë. Një gjë e tillë shpjegohet me faktin se edhe sipërmarrësit dhe njerëzit më të suksesshëm kanë nevojë për ndihmë, prandaj mos e lejoni egon tuaj që t’ju ndalojë dhe të mos kërkoni ndihmë.

Çdo vendim mund ta merrni vetëm ju

Nëse ju pëlqeni ngjyrën e kuqe, kjo nuk do të thotë se ajo është ngjyra e duhur edhe për logon e biznesit tuaj, sepse ajo ngjyrë mund të mos ketë fare lidhje me mesazhin që brandi juaj do të përçojë. Por duke qenë se ky është biznesi që ju drejtoni dhe juve si lider ju pëlqen ngjyra e kuqe, atëherë ka shumë mundësi që kjo ngjyrë të jetë edhe ngjyra e logos suaj, sepse tek e fundit jeni ju ai që i merrni vendimet dhe nuk njeri tjetër që mund t’ju kundërshtojë ato. E gjithë çështja nuk ka të bëjë me ngjyrën e logos, por është një simbolikë e cila tregon mendësinë që keni ju si lider dhe lirshmërinë që i jepni ju punonjësve tuaj për të shprehur idetë e tyre dhe në përfundim të zgjidhjet ajo më e mira.

Duhet të fitoni patjetër, humbja nuk ju lejohet

Ego do që ju të keni gjithmonë të drejtë. Por një gjë e tillë nënkupton faktin se kur ju jeni në mes të një diskutimi apo duke dhënë një argument ju duhet të keni se s’bën të drejtë, edhe në ato raste kur mund ta keni gabim. Në vend që ju të kërkoni mënyra për ta çuar biznesin tuaj sa më përpara, ju luftoni për të pasur të drejtë në diçka e cila nuk do ta ndihmojë atë aspak. Liderët e vërtetë janë pikërisht ata të cilët e dinë kur beteja ka marrë fund dhe se ata duhet të pranojnë humbjen.

Objektiva të paarritshëm

Vetëm në sajë të egos ju mund të vendosni përmbushjen e objektivave të paarritshëm. Si një lider i një kompanie të suksesshme një prej detyrave më të rëndësishme tuajat është që ju të vendosni përmbushjen e objektivave të arritshme, jo vetëm për veten tuaj por edhe të tjerët.

Të ngjashme