Një ndërmarrës i mirë flet pak

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Babai im ka një thënie të cilën e thotë me vite e cila rezonon ende me atë që ndodh sot. Njëra prej të preferuarave të mia është kjo: ‘’Ne kemi dy veshë dhe një gojë, kështu që ne duhet të kalojmë dy herë më shumë kohë duke dëgjuar se sa duke folur’’.

Kjo lidhet veçanërisht me kulturën tonë aktuale socio-politike, pasi që shumica prej nesh flasim shumë dhe dëgjojmë pak, por është gjithashtu e rëndësishme në një ambient biznesi ku shumica e përpjekjeve tona na përfshijnë neve duke treguar për veten, duke shpjeguar pikëpamjet tona dhe duke përshkruar se çfarë është e rëndësishme për ne.

Kjo është e nevojshme që marka juaj të vërehet, por duhet të siguroheni që të mos e harroni kurrë forcën prapa ndërmarrësisë: Si mund të zgjidhni problemet e konsumatorëve tuaj?

  • Dëgjoni konsumatorët tuaj

Prioriteti juaj i parë duhet të jetë të dëgjoni konsumatorët tuaj, të kuptoni se për çfarë kanë nevojë që të kuptoni se si të shtoni vlera. Biznesi ka të bëjë me marrëdhënie, dhe marrëdhëniet duhet të jenë të dyanshme, transmeton Ekonomia Online.

Nëse punoni si një pronar i një biznesi të vogël dhe i njihni konsumatorët tuaj, kjo duhet të jetë e lehtë, vetëm bëjuni atyre disa pyetje dhe ndaloni së foluri! Lejoni që ata të flasin për jetët e tyre dhe dëgjoni me vëmendje. Merrni shënime dhe më vonë bëni një plan se si ti ndihmoni ata.

Nëse nuk keni qasje direkte tek konsumatorët tuaj, ju duhet të punoni më shumë por ende ka shumë mënyra për të dëgjuar, duke filluar nga mediet sociale. Duke ndjekur konsumatorët tuaj në kanalet e tyre shoqërore, do ta shihni menjëherë se si ata jetojnë jetën. Ju mund të vëzhgoni vështirësitë dhe triumfet e tyre dhe pastaj të vendosni një rrugë se si të shtoni vlera. Plus, në rast se ata ndjekin kanalet tuaja, atëherë keni leje që të bashkëveproni direkt me ata dhe t’i dëgjoni.

  • Dëgjoni punonjësit tuaj

Ata dinë më shumë se sa ju i vlerësoni. Ata madje mund të dinë më shumë se ju, pas të gjithash ata janë në vijën e parë dhe e dinë se çfarë po ndodh.

Veprimet rastësore të dëgjimit nuk do ju japin thellësinë e të kuptuarit që keni nevojë për t’iu shërbyer me të vërtetë punonjësve tuaj, kështu që afrojuni atyre në një mënyrë të strukturuar. Jepuni atyre forume të shumta që të komunikojnë me ju, edhe virtualisht edhe sy më sy. Dërgojuni atyre sondazhe që t’i mbushin, dhe nëse mundeni, krijoni një program të ambasadorit të kompanisë ku ekipi juaj udhëheqës mund të kalojë kohë domethënëse me grupet e punonjësve dhe të dëgjojë shqetësimet e tyre.

Është mirë që të mbani takime në baza të rregullta, gjithashtu. Vetëm sigurohuni që nuk po flisni vetëm ju!

  • Dëgjoni konkurrentët tuaj

Dëgjoni konkurrentët tuaj, gjithashtu. Ata janë një tjetër burim i informatave, dhe ata mund t’ju japin perspektiva të reja dhe ndryshe. Pavarësisht se a janë ata një hap përpara apo prapa jush, kushtoni vëmendje se çfarë po bëjnë ata në treg. Analizoni se çfarë po funksionon ( e çfarë jo) që t’i aplikoni ato mësime në biznesin tuaj.

Ka shumë mënyra që ju të gjurmoni dhe t’i dëgjoni konkurrentët tuaj, dhe sërish media sociale është arma juaj më e mirë. Ndiqni kanalet shoqërore të konkurrentëve tuaj dhe do të shihni jo vetëm aktivitetet e tyre të marketingut, por se si bashkëveprojnë me konsumatorët e tyre dhe më e rëndësishmja, si bashkëveprojnë konsumatorët me ta.

  • Dëgjoni botën rreth jush

Asnjëri prej bizneseve ose markave nuk jeton në vakuum. Ne jemi pjesë e një komuniteti të madh i cili duhet të bashkekzistojë dhe të bashkëpunojë me bizneset dhe komunitetet rreth nesh. Duke pranuar këtë dhe duke dëgjuar botën, ne mund t’ju japim më shumë konsumatorëve dhe punonjësve.

Një mendim i  fundit: Në platformat tuaja të medieve sociale, ju duhet të bëheni edhe më ekstremë dhe të dëgjoni katër herë më shumë se sa flisni. Për çdo 10 postime, vetëm dy duhet të jenë për veten dhe për markën tuaj. Tetë të tjerat duhet të shtojnë vlera për fansat dhe ndjekësit tuaj. Është në rregull të lavdëroni produktin tuaj, por vetëm nganjëherë. Pjesa tjetër duhet të jetë për ata!

Mbani në mend: dy veshë, një gojë!

(Autori Jim Joseph është drejtor i agjencisë së komunikimit “Cohn & Wolfe” me bazë në New York)

Të ngjashme