Këshilli Ekonomik Social pret që brenda këtij viti paga minimale të arrijë në 250 euro

Prishtinë | 25 Jan 2022 | 17:08 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, (KES) ka mbajtur sot takimin e radhës, ku janë mandatuar dy komisione, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se brenda këtij muaji komisioni Ad-hoc do ta sjellë për aprovim propozimin e pagës minimale për miratim, që sipas tyre është 250 euro.

Për rrjedhojën e këtij takimi, ka folur anëtari i këtij Këshilli, Imer Ymeri. Ai tha se në rend dite kanë zgjedhjen e komisioneve profesionale në kuadër të KES-it, të cilat do të punojnë në Ligjin për pagën minimale.

“I kemi mandatuar dy komisione, të cilat do të punojnë për pagën minimale. Brenda muajit do të na sjellin një version në këshillin ekonomik social dhe një komision tjetër që është komision profesional për legjislacion i cili do të punojë rreth draftit të marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe do ta bie një raport deri të premten e fundit të muajit shkurt që i bie data 25 muaji shkurt”, tha ai.

Ymeri tha se edhe pse kishte diskutime dhe mendime të ndryshme në fund të gjitha vendimet janë marrë me të gjitha votat edhe nga përfaqësuesit e sindikatave edhe të qeverisë edhe përfaqësuesit bizneseve.

“U formua një komision ad-hok nga Këshilli i cili do të bëjë një plan të punës dhe ai komision brenda muajit do të bie për aprovim propozimin e pagës minimale për miratim. Shpresoj që në mbledhjen e radhës e cila do të mbahet me 25 shkurt do të arrijmë që t’i propozojmë Qeverisë pagën minimale”, ka thënë ai.

Ymeri tha se e kanë një propozim që ka qenë para tri vite që ka qenë 250 euro por se kur do t’i shtohen edhe propozime të tjera të inflacioneve shpresojnë që të bëhet 350 euro.

“Ne e kemi kërkuar që në të njëjtën vijë janë edhe përfaqësuesit e bizneseve dhe të qeverisë që paga minimale patjetër duhet që të ec përpara”, tha ai.

Ai tha se paga minimale do të arrij brenda vitit 2022. Ymeri tha se e kanë ngritur edhe çështjen e ligjit të sigurimeve shëndetësorë

“Shpresojmë shumë që qeveria deri në fund të muajit prill të miratoj pagën minimalë. Morën garancione edhe nga ministri i Shëndetësisë se prioritet kryesor e ka formimin e fondeve të sigurimeve shëndetësore. Mirëpo nuk dha garanci se kjo mund të ndodh brenda virit 2022”, tha ai.

Tutje ai tha se si sindikata besojnë se nuk ka ndonjë pagë që është diferencë e madhe mes pagës minimale.

Të ngjashme