KIE diskuton për sfidat e investitorëve, veçohen sundimi i ligjit e rryma

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 14:18 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) organizoi Asamblenë e Pestë të Përgjithshme, ku u diskutua për sfidat e investitorëve në Kosovë dhe çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të krijohet një klimë sa më të mirë për afarizëm.

Folës në këtë takim theksuan se për të tërhequr investimet e huaja, Kosova duhet të përmirësojë sundimin e ligjit dhe furnizimin me rrymë elektrike.

Pjesë e KIE janë 25 kompani të mëdha, të cilat kanë investuar 1 miliard euro në Kosovë, u tha me këtë rast.

“Jemi promotorët më të mirë për investitorët në Kosovë. Dëshirojmë të kemi një Kosovë më të mirë, dhe ne dëshirojmë të kemi përkushtim më të mirë”, deklaroi Robert Erzin, president i Këshillit të Investitorëve Evropianë.

Sipas tij, investimet e huaja në Kosovë janë mjaft të mëdha dhe merita për këtë, sipas tij, i ka dhe KIE.

“Në tri vitet e kaluara ishte dialogu që organizuam dhe konferencat që bëmë; mblodhëm kryeministrin, ministrat dhe në këto ngjarje diskutuam për sfidat për investime në tregun kosovar dhe si t’i kalojmë këto sfida”.

“Kemi diskutuar të bëjmë ‘Librat e Bardhë’, ku do bëhej vlerësimi i mjedisit të biznesit. Dëshirojmë t’i shkruajmë sfidat në këtë libër që i shohim në tregun e Kosovës dhe në të ardhmen dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë libër që të gjurmojmë në mënyrë profesionale sfidat e tregut”, tha Erzin, i cili është drejtor i kompanisë IPKO.

Shpend Balija, kryetar i Këshillit, tha se investimet e huaja në Kosovë gjatë vitit 2015 ishin 300 milionë euro, por që sipas tij po investohet kryesisht në ndërtim dhe jo sektorë të tjerë.

“Kosova vazhdon të ketë 4% rritje të GDP-së. Këto janë lajme të shkëlqyeshme”, tha Balija.

“Investimet e huaja direkte janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Në takim, mes tjerash, u diskutua për rëndësinë ekonomike të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), për sfidat e sektorit të prodhimtarisë, sektorin bankar, rëndësinë e digjitalizimit dhe tema të tjera.

Gerrie Willems, ambasadore e Holandës në Kosovë, tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në përmbushjen e MSA-së dhe Agjendës Evropiane të Reformave (ERA), në mënyrë që në Kosovë të ketë një klimë sa më të mirë për afarizëm.

“Gjëja e mirë është se planet dhe politikat ekzistojnë. Si shtet anëtar i BE-së, Holanda e mbështet Kosovën drejt integrimit evropian, duke implementuar MSA-në dhe ERA-n. Nuk pres më shumë nga Qeveria sesa realizimi i këtyre reformave për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe me këtë arrijmë një klimë më të mirë afariste”, theksoi Willems.

Ajo tregoi se janë 12 kompani holandeze që aktualisht punojnë në apo me Kosovën. Duke folur për mundësitë e investimeve në Kosovë nga kompani holandeze, ajo përmendi si fusha potenciale industrinë e tekstilit dhe bujqësinë.

Por, Willems përsëriti se për të tërhequr investimet e huaja, Kosova duhet të përmirësojë ende sundimin e ligjit, si dhe t’iu sigurojë bizneseve furnizim afatgjatë me energji elektrike.

Të ngjashme