Klubi i Prodhuesve të Kosovës: Industria e ndërtimit dhe materialeve ndërtimore gjithnjë e në rritje

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Prodhuesve të Kosovës në kuadër të fuqizimit dhe promovimit të produkteve vendore, organizoi sot panelin e diskutimit “Industria e Materialit Ndërtimor: Rritja e pjesëmarrjes në tregun Kosovar”.
Paneli i diskutimit kishte për qëllim që të ofroi një analizë të përgjithshme të tregut vendor sa i përket industrisë së materialit ndërtimor, dhe mblodhi së bashku prodhuesit e materialeve ndërtimore, projektues dhe analistë të tregut, të cilët shkëmbyen përvojat e tyre lidhur me vështirësitë e operimit në tregun vendor, por edhe mundësitë që ofron ky treg.

Objektivi kryesor i këtij paneli ishte trajtimi i tregut të shitjes së produkteve në industrinë e materialeve ndërtimore, por edhe eksplorimi i risive në inxhinierinë e ndërtimit dhe trendët e fundit në këtë industri. Gjatë konferencës u diskutua për rëndësinë e zhvillimit të kësaj industrie në zhvillimin ekonomik dhe u kërkua nga institucionet vendore si lokale dhe qendrore, që përmes prokurimit publik të bëhet edhe ndërtimi i objekteve me materiale vendore, ku 90% e materialeve prodhohen në vendin tonë, gjë që do të ndikonte në rritjen e tregut dhe fuqizimin e këtij sektori.

Visar Dobroshi, nga kompania Recura, i ftuar në këtë panel tha që analiza e tregut të ndërtimit dhe patundshmërive në përgjithësi është gjithnjë e në rritje, ku vet kjo industri është e katërta sa i përket punësimit apo 9.5% të punësuarve. “Tregu i patundshmërisë, tregu i prodhimit, tregu financiar, tregu i ndërtimit ende nuk është i ngopur, përkundrazi kemi rritje të kërkesës. Nuk ka asnjë tregues që kërkesa është në rënie, edhe pse ka ngritje të çmimeve, por kjo ka rezultuar me faktin pozitiv që kualiteti dhe standardi i jetës është ngritur. Pra kemi një trend të rritjes së kërkesës së ndërtimit, por ende vërehet një disbalancë në mes të importit dhe eksportit të materialeve ndërtimore.” – tha ai.

Ndërsa Mustafë Borovci nga kompania Brickos, tha që kërkesa vendore e prodhimit të produkteve nga argjila përmbushet nga prodhuesit vendor, ku importi i materiale ndërtimore të këtij lloji ka pasur rënie të konsiderueshme që nga paslufta. ”Importi i produkteve ndërtimore nga argjila vjen nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, kurse edhe eksporti jonë ndaj këtyre vendeve është më i vogël. Industria të cilën ne e përfaqësojmë ka mbi një mijë punëtorë të punësuar dhe prodhon mbi 15 lloje të ndryshme të profileve, ku mungon vetëm prodhimi i tjegullave dhe tullave të fasadës, të cilat importohen kryesisht nga Belgjika. Ndoshta kjo është mundësi e mirë për ne që në të ardhmen e afërt të fokusohemi më shumë në këtë drejtim.” – u shpreh ai gjatë diskutimit.

Por sipas Borovcit, janë dy probleme kryesore me të cilat përballet kjo industri e që nuk e lënë zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj industrie, e që kanë të bëjnë me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe burokracitë e tejskajshme me institucionet vendore.

Ideal Vejsa, nga Maden Group, si projektues por edhe zhvillues i ndërtimit, tregoi që vendi është ende në fazën fillestare të ndërtimit, ku kërkesa sa ka filluar të rritet. Sipas tij, “ Si treg kemi filluar të rritemi edhe me prodhimin e materialeve vendore të ndërtimit, ku kemi mbuluar mjaftueshëm tregun duke mos i lënë hapësirë importit. Kurse përdorimi i prodhimeve vendore është trend botëror, jo vetëm në vendin tonë, ku është rritur përdorimi i materialeve bazike dhe të qëndrueshme, të cilat mbrojnë ambientin dhe janë efikase. Gjithashtu ka filluar edhe standardizimi i ndërtimit, ku ka filluar të ju kushtohet vëmendje kushteve dhe cilësisë së ndërtimit.”

Burim Fazliu nga kompania TehnoBurimi, kompani kjo e cila merret me prodhimin e shtyllave elektrike, tregoi që si kompani janë prezent në tregun vendor, por edhe në Shqipëri e shumë më pak në Maqedoni. “Kemi barriera të shumta tarifore dhe jotraifore të cilat nuk na lejojnë të eksportojmë në Maqedoni, dhe kërkojmë nga autoritetet e vendit, që të njëjtat kushte të vlejnë edhe për mallrat e importit të cilat vijnë nga këto vende.”- tha ai. Po ashtu edhe z. Fazliu e përmendi sfidën e mungesës së punëtorëve të kualifikuar, si një ndër problemet kryesore.

Kurse, Kastriot Lluka nga kompania Line Group, tregoi që ka ndodhur një zhvillim shumë i madh i tregut të materialeve ndërtimore që nga koha e pasluftës. “ Jemi shumë më të avancuar sa i përket prodhimit të materialeve ndërtimore me vendet e rajonit, ku përdoret teknologjia e fundit. Ndërtimi ka filluar të orientohet nga qëndrueshmëria dhe efikasiteti, ku përveç dizajnit i kushtohet rëndësi edhe strukturës. Po ashtu edhe kërkesa është në rritje, ku periudha e ndaljes së prodhimit gjatë pandemisë, ka ndikuar në shtimin e kërkesës për materiale në kohën kur ka filluar prodhimi. Gjithashtu kjo periudhë na ka shtyrë që të mendojmë në zëvendësimin e produkteve të cilat i importojmë, sidomos është mundësi shumë e mirë për prodhimin e lëndës së parë, ku tregu i Evropës është në mungesë.”

Të ngjashme