Klubi i Prodhuesve të Kosovës nënshkruan marrëveshje me disa kompani për trajnim dhe punësim të të rinjve

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 16:21 | Nga

Në kuadër të implementimit të “Programit për Trajnimin në Punë” Klubi i Prodhuesve të Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë prodhuese të cilat janë pjesë e këtij programi.

“Programi për Trajnim në Punë” mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar -Sida.

Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional. Për këtë arsye, KPK sot nënshkroi këtë marrëveshje bashkëpunimi me një pjesë të kompanive të cilat janë pjesë e programit.

Kompanitë të cilat sot nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit janë Reks, Flexograf, Sela Impeks dhe Dhemetra, kompani këto të cilat do të mundësojnë punën praktike e të rinjve nga komuna e Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë dhe Hanit të Elezit. Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve do të kanë mundësi edhe të punësohen tek këto kompani prodhuese partnere të Klubit. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanive shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e këtyre kompanive që të jenë pjesë e programit.” Ky program është një bashkëpunim i radhës dhe në vazhdën e projekteve që do të kenë ndikim ekonomik në vendin tonë. Këto kompani janë kompani serioze që po ju japin mundësinë të rinjve jo vetëm që të trajnohen por edhe të aftësohen profesionalisht dhe të punësohen.”

Berat Mustafa, drejtori i kompanisë Flexograf, tha që kompanitë e mirëpresin një program të tillë, duke marrë parasysh numrin e lartë të të rinjve që kërkojnë punë. ”Ky program është një mundësi shumë e mirë që t’iu ofrohet punë të rinjve, dhe një shans për këta që ta tregojnë veten. Presim që më të dalluarit të vazhdojnë punën në kompanitë tona edhe pas përfundimit të programit.” Z.Mustfa po ashtu u shpreh që presin interesim të madh të të rinjve që të bëhen pjesë e programit.

Gjatë javëve në vazhdim Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen edhe aplikimet për pranimin e kandidatëve në secilën komunë në të cilën parashihet implementimi i këtij programi.

Të ngjashme