Koalicioni për Drejtësi Shoqërore: Veprimi i Thesarit është në kundërshtim me Kushtetutën

Prishtinë | 07 Tet 2022 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike ka reaguar duke shprehur shqetësim me njoftimin e Thesarit të Kosovës/Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, dërguar organizatave sindikale lidhur me regjistrimin e anëtarëve të sindikatave në portalin E-Kosova.

Në njoftim thuhet se anëtarët e sindikatave duhet të regjistrohen në platformën E-Kosova si dhe të konfirmohen të dhënat e bankës nga data 15 shtator deri më datën 21 shtator.

Pas kalimit të kësaj periudhe kohore, sindikatave u është ndërprerë kuota e anëtarësisë në mënyrë të njëanshme, e cila nënkupton ç’anëtarësim pa vullnetin e anëtarëve.

Koalicioni konsideron se ky njoftim është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Organizim Sindikal dhe Standardet ndërkombëtare, të cilat e rregullojnë lirinë e asociimit dhe organizimit sindikal.

Ky koalicion pretendon se njoftimi qeveritar ka shkelur këto dispozita kushtetuese, ligjore dhe të standardeve ndërkombëtare.

Kushtetuta: Liria për të themeluar sindikata dhe për t’u organizuar, me qëllim që të mbrohen interesat, është e garantuar. Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet me ligj për kategori të veçanta të punonjësve.

Ligji: Sipas ligjit për Organizim Sindikal, Statuti i sindikatës është akti më i lartë juridik i sindikatës, me të cilin rregullohet dhe përcaktohet fushëveprimi, parimet themelore të punës, organizimi sindikal, të drejtat dhe detyrat e anëtarëve, si dhe përbërja dhe funksionimi i organeve drejtuese sindikale.

Koalicioni konsideron se veprimi i qeverisë është i njëanshëm, pa u konsultuar fare me organizatat sindikale, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për Organizim Sindikal dhe standardet ndërkombëtare.

Andaj Koalicioni kërkon nga qeveria që menjëherë të tërhiqet nga veprime të tilla të njëanshme dhe kundërligjore, dhe menjëherë të ju kompensohen kuotat e anëtarësisë së papaguara në këtë periudhë.

Të ngjashme