Komisionet hetimore për energji pritet të shpërndajnë shumë ftesa

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

18 maji është data e fundit kur dy komisionet hetimore për energji duhet të mblidhen për here të parë. Në takimet fillestare, deputetët përpilojnë listat e personave që do të ulen para tyre.

Në komisionin që heton krizën energjetike mund të thirret kryeministri Albin Kurti me ministra, por në atë që merret me zhvillimet 16-vjeçare, ka gjasë të ftohen edhe paraardhësit e tij.

Ish-deputeti Dardan Sejdiu, që ka drejtuar vetë komision hetimor në Kuvend, pret të ketë shumë ftesa ndaj aktorëve që kanë lidhje me sektorin e energjisë.

“Menaxhimit të sistemit energjetik të Kosovës, shitblerjes së rrymës, telasheve me termocentrale. Pra, prej KOSTT, ZRRE, KEK e deri te njerëzit që kanë marrë pjesë në vendimmarrje”, thotë Sejdiu, njofton “Klan Kosova”.

Opozita e ka në plan ta ftojë edhe ambasadorin Martin Berishaj. Ky dhe çdo dëshmitar tjetër, sipas Ligjit për Hetim Parlamentar, obligohet patjetër t’i përgjigjet komisionit.

“A vendosin personat privatë dhe kompanitë e huaja me u përgjigj është çështje tjetër, por komisioni hetimor edhe me ligj mundet edhe me polici me i sjellë ata që i fton”, deklaron Sejdiu.

Dëshmitarët janë të obliguar edhe t’i përgjigjen pyetjeve, por jo gjithmonë ka shkuar kaq thjesht. Drama më e përfolur në komisione hetimore ishte raportimi maratonik, me përplasje e thumbime, i ish-presidentit Hashim Thaçi për dëbimin e gjashtë turqve nga Kosova, më 26 prill 2019.

Ligji e lejon edhe azhurnimin e listës së dëshmitarëve gjatë gjashtë muajve sa ka mandat komisioni.

Dy nismat e propozuara nga opozita e pushteti u miratuan të enjten, pas një seance jo të qetë.

Të ngjashme