Komisioni ndihet i “shpërfillur” nga Haradinaj në rastin e Bordit të ZRrE-së

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 12:20 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal nuk ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë për kandidatët për kryesues të Bordit të ZRrE-së, për shkak të heqjes së Fadil Ismailit nga lista për kryesues të këtij bordi.

Ismaili kishte më së shumti pikë. Por në arsyetimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, thuhet se është në përputhshmëri me ligjin të dërgohen vetëm dy kandidat mirëpo nuk sqarohet heqja e Ismailit nga lista, raporton Ekonomia Online.

Ky veprim, u cilësua si ofendues nga ana e anëtarëve të komisionit duke e shtyrë për shqyrtim pas marrjes së një sqarimi nga ana e Kryeministrisë.

Mimoza Kusari-Lila propozoi që, në mungesë të arsyetimit, të hiqet nga rendi i ditës.

“Letra e ardhur nga qeveria nuk ka sqarim të duhur. Propozoj që të heket nga rendi i ditës për shkak se nuk ka informim kualitativ as sqarim në raport për heqjen e antarit të ZRrE-së,” është shprehur Kusari.

Dardan Sejdiu tha se heqja e Fadil Ismailit nga lista është e padrejtë dhe shqetësuese.

“Ky është shqetësim me vend, në mbledhjen e kaluar e kemi shprehur brengën se si personi me më së shumti pikë është hequr nga lista. Përgjigjja që kemi marr nga kryeministri është ofenduese dhe shpërfillëse. Kryeministri ka sqaruar me një letër ku thotë që kjo është në pajtim me ligjin. Unë jam në përkrahje të plotë që deri në një përgjigjje të plotë kjo pikë të mos trajtohet nga komisioni. Duhet të na sqarohet pse Fadil Ismaili të mos jetë kryesues i bordit,” thotë Sejdiu.

Sipas anëtarit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, qeveria nuk ka shkelur procedurat sepse ka dërguar dy emra, raporton EO.

“Nëse thuhet në dispozitë që qeveria është e obliguar që të dërgojë dy emra, unë nuk mund të kuptoj pse përgjigjja e kryeministrit është ofenduese. Nëse është respektu ligji unë se di pse duhet të shtyjë këtë pikë,” deklaroi Nitaj.

Kryetarja Sala Berisha Shala tha se është i kuptueshëm refuzimi i opozitës derisa theksoi se qeveria nuk ka shkelur ligjin.

“Për mua është e qartë pse deputetet e opozitës mbajnë qëndrime të tilla për një bord kaq të rëndësishëm. Ne jemi korrekt me ligjin sepse i kemi dy anëtarë që i kërkon ligjin.”

Anëtarja e Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se është e padrejt heqja e kandidatit me më së shumti pikë nga lista për kryesues.

“Kryeministri para pak ditësh e ka nënshkru memorandumin që kompania britaneze ka me mbikëqyr procesin e emërimit të zyrtarëve të lartë. Nga ai proces është heq nga lista personi më me së shumti pikë. Pse duhet t’i mohohet e drejta,” është shprehur Bajrami.

Tre anëtarët për kryesues të bordit të ZRrE-së janë Fadil Ismaili, Bekim Jakupi, Petrit Pepa.

Të ngjashme