Komisioni s’e shqyrton Buxhetin 2017 me arsyetimin se s’kanë printer

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 11:31 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës nuk e ka shqyrtuar, në mbledhjen e sotme, Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017, duke e tërhequr nga rendi i ditës.

Derisa ditëve të fundit ka pasur deklarata se koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar Buxhetin në Kuvend, arsyetimi për shtyrjen e shqyrtimi të Projektligjit për Buxhet ishte banal.

Kryetari i këtij komisioni parlamentar, Naser Osmani, tha se shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin 2017 do ta bëjnë javën e ardhshme, në mungesë të printerëve. “Materiali i projektligjit është i palexueshëm. Nuk duken as numrat”, tha Osmani, raporton Ekonomia Online.

Në komision ka qenë prezent ministri i Financave, Avdullah Hoti, për të raportuar lidhur me Buxhetin e vitit 2017.

Ai tha se materialet nuk janë printuar nga Ministria e Financave, por nga sekretaria e Kuvendit.

Zyrtarë e opozitës kanë thënë se pozita nuk i ka numrat në Kuvend për kalimin e buxhetit.

Madje, Buxheti 2017 është kundërshtuar hapur edhe nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kështu, zv.ministri i Financave, Isni Kilaj, e ka cilësuar buxhetin e propozuar si buxhet politik. Ai ka thënë se LDK-ja i ka destinuar mjetet në drejtim të ministrive, komunave dhe agjencive që i udhëheq vetë.

Kilaj, i cili është dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, ka thënë se kjo është një arsye shtesë pse duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Të ngjashme