Komisioni për Buxhet miratoi raportin e Trustit Pensional

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 16:33 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin e Trustit Pensional të Kosovës me ndryshimet e ardhura nga raportimi i mbledhjes së kaluar, raporton Ekonomia Online.

Në këtë mbledhje u votua raporti i Trustit me ndryshimet e bëra. Kryetari i Komisionit Hekuran Murati ka kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e këtij institucioni.

E sqarime u dha kryesuesi i Bordit të Fondit Pensional, Ruzhdi Morina, i cili tha se ashtu siç është kërkuar nga komisioni janë marrë parasysh rekomandimet dhe janë bërë ndryshimet, ku në buxhetin operativ kanë bërë zbritje prej 0.4 për qind si dhe tek buxheti investiv zbritje prej 0.33 për qind .

“Ashtu siç është rekomanduar Fondi ka bëtë ndryshimet në buxhet, buxheti operativ ne mendojmë që i kemi përmbush të gjitha rekomandimet kontributet pensionale dhe janë zbrit, e te shërbimet konsulente kemi bërë shpenzime si dhe te shpenzimet kontingjente kemi ardhur deri te një zbritje 0.4 për qind të buxhetit total operativ, jemi një fond mjaft i lirë. Buxhetit investiv na është rekomanduar zvoglimi i kësaj shume, ai është planifikim por ndryshon gjatë vitit, çfarëdo suficiti që krijohet nga kjo shumë rikthehet në fond”, tha ai.

“Ka mundësi ta bëjmë një rishikim të kësaj vlere, gjatë diskutimeve e bëjmë, 0,33 për qind ne kemi propozuar këtë tarifë investive, kjo mund të zbritet deri në 0,11 për qind ose në 5.98 milion euro”, u shpreh Morina

E deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi kërkoi sqarime për deficitin në Trust.

“Qysh bëhet krahasimi deficiti kur keni bërë krahasimin e njëjtë?”, pyeti Abrashi.

E Morina tha se për çdo rast fondi ka një fond emergjent për çfarëdo situate që ndodh.

“Sa i përket taksës operacionale është e parashikuar, kemi edhe një fond emergjent që mund të përdoret në kohë pandemie por procedura ligjërisht është e njëjtë, bordi i drejtohet Kuvendit”, tha ai.

Kurse, Bedri Hamza tha se trusti ka performanc të mirë dhe e përkrah këtë raport.

“Trusti vitin e kaluar ka pasur rezultat të mirë të kthimit, operojnë me një buxhet racional, dhe ne si komision mund të aprovojmë me korrigjimet, funksionaliteti i asnjë institucioni të mos rrezikohet si çështje e buxhetit. Unë si anëtar e përkrahi në formën si është aktuale”, tha Hamza.

Kujtim Gashi kërkoi sqarime për humbjet gjatë periudhës së pandemisë.

“Ka pas lajme për humbje të mëdha buxhetore gjatë kohës së pandemisë nëse ka mundësi ma shumë rreth kësaj çështje”, tha Gashi.

 “Sa i përket performancës ka pasur rënie gjatë periudhës mars prill por,  jemi duke rikuperuar por nuk ka pasur humbje”, ishte përgjigja e Morinës.

Hekuran Murati kërkoi që të reflektohet edhe në largimin nga fondet e shtrenjta dhe të kthehemi në fondet më pasive.

“E kam parë janë marr parasysh rekomandimet, pata kërkuar punën e performancës që nuk ka ndonjë dallim substancial në mes të tarifës menaxhuese dhe kthimit, rekomandimi ka qenë që shumicën me tërheq prej fondet më të shtrenjta e me u kthy tek fondet pasive, besoj që mund të reflektohet”.

Morina tha se “Çdo suficit kthehet në fond, te pjesa investive  duke pas parasysh ato do tu kthehen”.

Me 7 vota për dhe 1 abstenim u votua raporti i ndryshuar i Trustit Pensional

Të ngjashme