Komisioni për Ekonomi vizitoi minierën e Artanës, në të cilën humbën jetën dy punëtorë

Prishtinë | 02 Qer 2020 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, që është komision funksional për çështjet minerare, u njoftua sot nga Bordi i KPMM-së, së në minierën e Artanës kanë humbur jetën dy punëtorë. 

Pas marrjes së informatës, kryetari i Komisionit, Endrit Shala, i shoqëruar nga deputeti Ferat Shala, doli në vendngjarje për të parë nga afër avarinë e ndodhur.

Në vendngjarje deputetët u njoftuan nga kryetari i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani, së punëtorët që humbën jetën janë një xehetar dhe një inxhinier, dhe se ngjarja ka ndodhur me rastin e shembjes së pjesës tavanore të punishtes, në të cilën ata ndodheshin gjatë kohës sa ishin duke kryer punën e tyre. Tre punëtorët e tjerë nga punishtet e tjera, ndërkaq, i kanë shpëtuar shembjes dhe kanë pësuar lëndime te lehta trupore.

Drejtuesit e KPMM-së i njoftuan deputetet se reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm. Në vendngjarje kishin shkuar anëtarët e Bordit, kryeinspektori i KPMM-së dhe njësia e shpëtimit dhe e ndihmës së parë. Kjo e fundit u kishte ofruar ndihmën e parë punëtorëve të lënduar.

Më këtë rast kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Endrit Shala, në emër të komisionit u shpreh ngushëllime familjeve të minatorëve.​

Të ngjashme