Komisioni për Financa i kërkon llogari Qeverisë për mjetet e ndara prej 500 mijë eurove për Pavarësi

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 16:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka kërkuar llogari për shumën 500 mijë euro të ndarë nga Qeveria për aktivitetet e shënimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, njëherësh kryesues i këtij komisioni, ka kërkuar përgjigje ndaj zëvendësministrit të Financave,Fatmir Gashi, për këtë shumë derisa ka shtuar se me anëtarët e tjerë do vazhdojnë të kërkojnë një raport nga Qeveria për shfrytëzimin e 500 mijë eurove.

“Pse gjithë kjo shumë 500 mijë euro, në krahasim 2017-16 janë nda ka 70 mijë euro. Pse nuk janë planifiku më herët, kur dihet data e Pavarësisë? Pse gjithë kjo shumë. Për ne rritja dhjetë fish e shpenzimeve, aktivitetet përpos një koncert sa mund të kushtojë ai dhe çka është më e keqja se neve si deputetë ftesa na ka ardhë jo në emër të kryeministrit, por bashkëshortes së kryeministrit”, është drejtuar ai ndaj zëvendësministrit Fatmir Gashi.

Ndërkaq, Gashi ka thënë se nuk dëshiron të përgjigjet pasi nuk është në kompetencën e tij.

“Është vendim i Qeverisë dhe tash unë me e arsyetu apo me kritiku nuk më takon. Është vendim që është marrë prej të gjithë kabinetit qeveritar. Nuk du me u lëshu në këtë”, tha ai.

Ky diskutim u bë gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit për Menaxhim Financiar dhe Kontrollet e Borxheve Publike për periudhën 2009-2017, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në të cilin raportoi zëvendësministri Gashi.

Avdullah Hoti, anëtar i komisionit dhe shef i grupit parlamentar të LDK-së, paraqiti pesë të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit nga borxhet publike.

“Vonesa në miratimin e nismave për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare është një rast kur është vonu marrja e një miratimi me muaj dhe MF ka fillu atëherë në 2014 pa një miratim formal të MPJ-së.Mospërputhja në tekst shqip-anglisht; Problemi i tretë më serioz është niveli i ulët i tërheqjeve dhe shfrytëzimeve të kredive; Një rast specifik tek blerja e pajisjeve shëndetësore, ka pasë vonesa nga QKUK për të përgatit hapësirën e nevojshme për këtë pajisje dhe e fundit është nevoja që kemi si institucione të përgatiten si duhet projekte me të cilat hyjmë në marrëveshje për të marrë borxhe publike.Këshilla ime është që asnjë negociatë nuk fillon pa u siguru nga Organizata Buxhetore që janë kryer të gjitha kushtet formale dhe teknike për zbatim të projektit”, tha ai.

Gashi tha se sa i përket borxheve publike do të jenë shumë më efikas ashtu si edhe në shfrytëzimin e mjeteve ku do të jenë shumë më aktivë.

“Në këtë raport u konstatua se MF ka respektuar limitin e lejuar të hyrjes në borxh dhe se trendi i zhvillimit të borxhit shtetëror nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të vendit. Është konstatu edhe MF është mjaft efektive në evidentimin, procesimin, regjistrimin dhe raportimin e borxheve publike si dhe respektimin e marrëveshjeve të borxheve publike sipas afateve të përcaktuara. Kemi arritur në mënyrë të kënaqshme dhe në kohë të realizojmë planin e zbatimit të rekomandimeve dhe të avancojmë më tutje në fushën e borxhit publik që është në nivelet e planifikuara dhe në përputhje me programin e borxhit publik. Borxhi publik në fund të vitit 2018 është 12 për qind. Nëse e shohim 2017, 2016, 2018 e shihni që shumë kujdes kemi në hyrjen në borxhe, sidomos sa i përket shfrytëzimit të mjeteve është një sfidë e cila edhe neve na mundon”, tha ai, raporton EO.

“…Me ndryshimin e Ligjit për Borxhe Publike do të ngritët përgjegjësia dhe dy herë në vjet do raportojmë në Qeveri në lidhje me statusin e borxheve publike ku gjendet dhe Qeveria atëherë flet me organizata, ministri”, u shpreh ai.

Pas një diskutimi të gjerë nga anëtarë të Komisionit, në kontestin e borxhit publik, rekomandimet lidhur me këtë çështje do të trajtohen në mbledhjen e radhës.

Komisioni, po ashtu diskutoi edhe lidhur me inicimin e procedurave për auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike, për vitin 2018, duke autorizuar administratën e Kuvendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për thirrje të hapur për aplikim, për përzgjedhjen e së paku 10 auditorëve të licencuar, të cilët do të auditojnë Raportet Vjetore Financiare dhe Raportet e Deklarimit Financiar të fushatës së subjekteve politike, për vitin 2018.

Të ngjashme