Kompania norvegjeze e interesuar për investime në menaxhimin e mbeturinave

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur sot në takim z. Henrik Selstam, Kryeshef Ekzekutiv nga kompania ScandGreen Energy, i cili ishte i interesuar të investojë në Kosovë në sektorin e energjisë së ripërtrishme.

ScandGreen Energy është kompani Norvegjeze e cila ka më shumë se 30 vite përvojë në prodhimin e kimikateve dhe ka fabrika në vende të ndrsyhme të botës si, Sllovakia, Danimarka dhe Gjermania.

Henrik Selstam së bashku me delegacionin e tij vizituan ministrin Lluka me qëllim që të informohen rreth fushës së riciklimit të mbeturinave me qëllim të prodhimit të energjisë.

Kreu i MZhE-së, Valdrin Lluka, i priti ata dhe i informoi rreth gjendjes së këtij sektori dhe për mundësitë e investimit në Kosovë, përkatësisht në këtë fushë.

“Sektori i riciklimit të mbeturinave është prej sektorëve që ka potencial shumë të madh mirëpo ka më së paku zhvillim në Kosovë. Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që ta zhvillojë më tepër këtë fushë. Janë dy mundësi që të investohet, e para është që investimi të jetë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, si aksionare kryesore me 51%, e cila lehtëson përfitimin e granteve nga fondet IPA. Si dhe mundësia e dytë është që kompania e vetme të investojë përmes Ligjit për Investime Strategjike” tha Lluka.

Henrik Selstam falënderoi ministrin për informacionet e dhëna dhe tha se ScandGreen Energy është duke shikuar të investoj rreth 65 milion euro në Kosovë.

“Ne jemi shumë të interesuar që të investojmë në Kosovë për shkak të potencialit që ofron ky vend. Sipas studimeve perliminare që kemi bërë parashihet që nga 50 deri në 65 milion euro të investohen në Kosovë duke ndërtuar një termocentral për riciklimin e mbeturinave”, tha Selstam.

Kreu i MZhE-së falënderoi që kanë zgjedhur Kosovën si vend të mundshëm për realizimin e këtij investimi dhe u ofroi përkrahje për realizimin e këtij projekti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme