Kompania “Relux” eksporton 18 kamionë gjatë pandemisë, s’merr mbështetje nga shteti

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 08:04 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania “Relux” që prodhon baza të ndryshme për ngjyra e fasada si dhe fasada dekoruese ka eksportuar në Gjermani kamionin e tetëmbëdhjetë për këtë vit.

Edhe pse kohë pandemie, kjo kompani ka arritur të eksportoj jashtë vendit me numër rekord të prodhimit.

Kurse për Kosovën, pandemia ka ndikuar negativisht si shkak i ndalimit të sektorit të ndërtimit dhe shtyrjes së përfundimit të repartit të ri të fabrikës për prodhim, e cila pritet të përfundoj pas dy muajsh.

Drejtori i kompanisë “Relux” Ramiz Gashi në një intervistë për Ekonomia Online ka shpalosur të arriturat dhe sfidat gjatë periudhës së pandemisë.

Derisa tha ai, se nga shteti nuk ka marrë asnjë ndihmesë, përfshirë edhe Pakon Fiskale Emergjente, njoftoi se si shkak i pandemisë i është ndërprerë bashkëpunimi me Kinën.

“Pandemia ka ndikuar negativisht tek ne, së pari sepse kemi pasur plan që në fund të muajit maj të jetë përfundimi i fabrikës së repartit të për prodhimin e fasadave dhe ngjyrave të lëngtë”.

“Jemi në mungesë të kohës, kurse sa i përket prodhimit, ne kemi punuar pa ndërprerë, disa herë kemi punuar edhe me orar të zgjatur”.

“Kjo është bërë sepse në ato ditë kur nuk kemi pasur mundësi të punojmë dhe kufijtë ishin të mbyllur. Kemi pasur kërkesa të mëdha që nuk mbahen në mend në këtë kohë, eksport kryesisht për Gjermani”.

“Dje kemi nisur eksportin e 18-të më radhë në këtë vit, që për tre muaj kemi eksportuar. Kjo mundet të jetë rekord për eksport në Kosovë, që nuk e kemi pasur më herët. Ne vitin e kaluar kemi bërë bashkëpunim me Kinën, por që si shkak i pandemisë duhet të presim”, u  shpreh Gashi.

Lidhur me eksportin e realizuar gjatë kësaj kohe, Gashi potencoi se pengesë ka qenë mbyllja e kufijve por që pas lirimit kanë punuar me kapacitet të plota.

“Mbyllja e kufijve na ka penguar sidomos në eksport, por me disa leje speciale u liruam për transportuesit. Sa i përket kërkesave jemi mbrapa me prodhim, kjo sepse në Kosovë është ndërprerë ndërtimi dhe ndalesa të punës së tjerave. Por me hapjen e tregjeve ne nuk po mund t’i furnizojmë, por jemi duke punuar kohë pas kohe që ta zbusim këtë mungesë”.

“Pako fiskale apo ndihmesa nga Qeveria nuk kemi pasur dhe nuk kemi bërë kërkesë. Jemi me vonesë dhe firmat të cilat i kemi pasur të kontraktuar kanë probleme të njëjta. Besoj dy muaj nuk do të jemi të gatshëm të finalizojmë repartin i cili është dashur të jetë i kryer në fund të muajit maj”, shtoi ai.

“Relux” është kompani që prodhon baza të ndryshme për ngjyra e fasada, ngjyra të brendshme e të jashtme, si dhe fasada dekoruese.

Kompania gjithashtu ofron sisteme izolimi veçanërisht sistemet e kursimit të energjisë.

Të ngjashme