Kompania serbe regjistrohet në veri, Lluka thotë se qytetarët do të fillojnë të paguajnë rrymën

Prishtinë | 20 Sht 2019 | 14:03 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, qytetarët e këtyre komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, nuk kanë paguar që nga mbarimi i luftës së fundit për energjinë e shpenzuar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se MZhE-ja ka pranuar informatë se Serbia ka ecë përpara me regjistrimin e një kompanie serbe në veri.

Kompani kjo që sipas tij, do të kryejë furnizimin e qytetarëve të veriut me energji elektrike dhe se kur të përfundojë certifikimi i kësaj kompanie, do të fillojë faturimi i qytetarëve të veriut për energjinë e shpenzuar.

“Pjesa e dytë e lajmit po vjen shumë shpejtë, sepse kemi indikacione pozitive sa i përket veriut të Kosovës, për herë të parë kemi pranuar informatë që Serbia ka ecë përpara me regjistrimin e kompanisë në veri, që do të thotë që në momentin që regjistrohet kompania serbe në veri, kompani për furnizim të qytetarëve të veriut, ajo do thotë që qytetarët fillojnë të paguajnë dhe për atë energji paguhet KEDS-i dhe gjithë gjeneratorët e tjerë, pra futen si pjesë e sistemit të Kosovës të energjisë elektrike, kjo do ishte suksesi i dytë më i madhi në Kosovë”.

“…pasi kemi mbi 20 vjet që po funksionojmë jo në rregull në këtë aspekt duke mos paguar energji elektrike, prandaj edhe këtu kemi lajme të mira dhe shpresojmë që shumë shpejtë çështje muajsh, do të certifikohet kompania në veri dhe do të fillojë faturimi i qytetarëve të veriut për energji elektrike”, tha Lluka.

Lluka shtoi se tashmë nga 14 prilli i vitit të ardhshëm, Kosova do fillojë të kontrollojë kufijtë e saj energjetik ku edhe do të bëhet një bllok i pavarur, raporton EO.

“Realisht na nuk paguajmë për pjesën e veriut, pjesa e veriut energjia merret nga transmisioni ndërkombëtarë, këtu kemi pas dy lëvizje pozitive, e para lëvizje ka qenë para disa muajve ku organizata evropiane e transmisioneve e kanë aprovuar dhe votuar kërkesën e Kosovës me ndihmën e transmisioneve të mëdha siç është Gjermanisë dhe Francës, që Kosova të njihet si një bllok i pavarur energjetik, ti kontrollojë kufijtë energjetik dhe kjo futet në funksion me 14 prill në vitin e ardhshëm”.

“Kosova nga 14 prill i vitit të ardhshëm do jetë në gjendje ta bëjë importin dhe eksportin e energjisë vetë, deri sot është dashur të merret leje nga Serbia për me importuar rrymë ose me eksportuar, pasi që jemi bllok i Serbisë në këtë rast, nga 14 prilli jemi bllok i pavarur dhe kjo do të thotë që 10 deri 12 milion euro, tarifat e transitit, i inkason Kosova, ky ka qenë lajmi më i mirë i vitit pasi sigurohet pavarësia energjetike”, shtoi Lluka.

 Fillimisht arsyeja e bllokadës për regjistrimin e një kompanie serbe në veri, ka qenë përdorimi i termit “Kosova Metohija”.

Të ngjashme