Kompanitë kosovare po prezantojnë produktet në panairin “PLMA’s 2019” të Çikagos

Prishtinë | 20 Nën 2019 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar pjesëmarrjen e kompanive kosovare StoneCastle, Hit-Flores, Egi Group dhe Kosova Wine në panairin “PLMA’s 2019 Private Label Trade Show”, që po mbahet në Çikago të SHBA-së.

Kompanitë kosovare që nga 16 nëntori janë duke i promovuar produktet e tyre si verëra dhe raki rrushi, kërpudha të thata, fruta mali, pasta, tornado chips, kikirik, letër e lagur, qese, etj., njëherësh po njihen me trendët e industrisë ndërkombëtare si dhe po realizojnë kontakte me qëllim të bashkëpunimit dhe mundësive për eksport në të ardhmen.

Panairi “PLMA’s 2019 Private Label Trade Show”, njihet si një ndër panairet më të rëndësishme në fushën e ushqimit dhe produkteve jo-ushqimore në të cilin po ekspozojnë produktet e tyre më shumë se 1,800 kompani nga 60 vende duke përfshirë 34 pavijone ndërkombëtare.

Produktet që po ekspozohen në këtë panair janë: ushqime të freskëta, të ngrira, ushqime të thata e pije, si dhe kategoritë jo-ushqimore, duke përfshirë kozmetikë, shëndetin dhe bukurinë, kuzhinën, kopshtarinë, etj.

MTI/KIESA për secilën kompani vendëse ka siguruar hapësirë ekspozuese prej 9m2, që gjenden në F2046, F2047, F1946, F1947.

Panairi mbetet i hapur deri më 20 nëntor 2019 në Rosemont Convention Center në Çikago të SHBA-së. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme