Kompanitë prodhuese ia mësyjnë ShBA-së, Dogana mbledh mbi 412 milionë euro këtë vit

Prishtinë | 15 Maj 2021 | 12:52 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompanitë kosovare ia kanë mësyrë ShBA-së, duke e rritur eksportin e mallrave rreth 200 milionë euro për këtë vit, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha viti 2021 është një nga periudhat më të mira sa i përket të hyrave.

Mbi 412 milionë euro janë mbledhur nga të hyrat në Doganën e Kosovës .

Ai ka sqaruar se krahasuar me vitin paraprak, përqindja e të hyrave është 25% më shumë, ndërsa me vitin 2019, dallimi është 12%.

“Po periudha e të hyrave për vitin 2021 është ndoshta një nga periudhat më të mira që nga themelimi i Doganës. Deri tani kemi arrit të mbledhim mbi 412 milionë euro, të cilat nëse krahasohen me periudhën e njëjtë paraprake, nënkupton që kemi të hyra më shumë për 25 për qind, pra vitin e kaluar kemi pasë rreth 330 milionë, kështu që tani dallimi është 80 milionë më shumë, por sidoqoftë nëse shikohet në aspektin statistikor, viti i kaluar ka qenë periudha e pandemisë, ka qenë ekonomia e mbyllur në atë kohë, nuk është ndoshta viti më i mirë krahasimor. Për këtë arsye Dogana e krahason edhe me vitin 2019 ku ne nuk kemi pasë masa kundër pandemisë, ku nuk ka ekzistua pandemia, por edhe me vitin 2019 në atë kohë kemi pasë 370 milionë, kështu që edhe me atë kohë jemi 12 për qind më shumë. Në përgjithësi performanca e Doganës është shumë e mirë, ka rritje të hyrave, por nuk mund të ketë performancë të mirë po nuk patë ekonomia e Kosovës në përgjithësi një performancë të mirë”.

Po ashtu, Stavileci thekson se eksporti i produkteve kosovare ka shënuar rritje, që sipas tij është një ndër zhvillimet më të mira të ekonomisë në Kosovë.

“Sa i përket importit ne kemi pasë rritje të vlerave të importit në këtë periudhë nëse vitin e kaluar kemi pasur total 1.2 miliardë importi i gjithmbarshëm në raportin e vlerës, tani kemi 1.7 miliardë pra ka rritje të vlerave të importit, rritje të qarkullimit, të konsumit, në të gjitha aspektet. Por një zhvillim tjetër më interesant për ekonominë, është rritja e eksportit, ne kemi arrit të rrisim eksportet. Në krahasim me vitin e kaluar, që viti i kaluar ka qenë një prej viteve më të mira të eksportit në Kosovë, ne tani jemi rreth 200 milionë euro mallra të eksportuar që nënkupton me vitin e kaluar që kemi pasë 116 milionë euro, nënkupton se ka një rritje rreth 70 për qind më shumë mallra të eksportuar, që është me të vërtetë një prej zhvillimeve më interesante të ekonomisë të Kosovës”.

Tutje, ai ka treguar se eksporti në drejtim të ShBA-së ka shënuar rritje.

Kësaj rritje të eksportit i ka kontribuar statusi preferencial tregtar, që Kosova gëzon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, status ky që i lejon dërgimin e mallrave të liruara nga detyrimet doganore, me qëllim të promovimit të rritjes ekonomike në shtetet në zhvillim.

Stavileci thotë se produktet që eksportohen më së shumti janë mbetjet e metaleve, ndërsa thekson se ka rritje edhe të industrive të reja si ajo e pijeve dhe prodhimi i mobilierive.

“Kosova në aspektin e importit, importon mallra kryesisht nga Bashkimi Evropian, nga vendet e rajonit të CEFTA-së, si dhe po ashtu nga Turqia dhe Kina. Në aspektin e eksporteve kemi mallra që eksportohen në drejtim të ShBA-së, tani kemi edhe eksporte në vendet e rajonit, por kemi edhe eksporte në BE. Mund të them se nga produktet që eksportohen ende mbetet në top listë mbetjet e metaleve të ndryshme, por në rënie të vazhdueshme. Por ka disa industri të reja, si ajo e pijeve, prodhimi i mobilierive të cilat kanë filluar të rriten si në ShBA dhe në vendet e Unionit”, tha ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme