Komunitetit të Energjisë i kërkohet përdorimi i mekanizmave ligjorë kundër projektit të TC “Kosova e Re”

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 08:04 | Nga Ekonomia Online

Pesë organizata joqeveritare kosovare dhe ndërkombëtare kanë parashtruar të hënën një ankesë në Komunitetin e Energjisë, përkatësisht tek mekanizimi i zgjedhjes së mosmarrëveshjeve lidhur me ligjshmërinë e marrëveshjes së blerjes së energjisë për projektin “Kosova e Re”.

Ato kanë kërkuar nga ky institucion që të hapë procedurë zyrtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kundër Qeverisë së Kosovës dhe të anulojë kontratat komerciale për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në ankesë thuhet se më 20 dhjetor të 2017, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një sërë kontratash me “ContourGlobal” për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, me një kapacitet prej 430-470 MW, por që disa prej tyre nuk respektojnë rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për ndihmën shtetërore. Kjo pasi, sipas organizatave, ato i ofrojnë investitorit “ContourGlobal” një mori përfitimesh duke e bërë atë më të favorshëm sesa prodhuesit e tjerë të energjisë.

Këto kontrata, sipas ankesës, vendosin një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit dhe konsumatorët kosovarë të energjisë elektrike, pasi që ajo garanton që një kompani shtetërore do të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga “Contour Global” me një “çmim të synuar” prej 80 euro/MWh – shumë më i lartë sesa çmimet aktuale të energjisë elektrike në rajon për 20 vjet radhazi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme