Konfindustria: Marrëdhëniet tregtare e ekonomike Shqipëri-Kosovë po përkeqësohen

Prishtinë | 15 Pri 2018 | 17:16 | Nga

Konfederata e Industrive të Shqipërisë – Konfindustria vlerëson se marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë në një nivel të pakënaqshëm dhe me kah të qartë rënës.

Krijimi i Tregut të Përbashkët Shqipëri – Kosovë në një periudhe kohore disavjeçare jo vetëm nuk ka shënuar përparim, por përkundrazi janë krijuar pengesa të reja të formave të ndryshme, thekson Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i kësaj organizate.

Konfindustria vlerëson se shkëmbimet tregtare që shënuan rritje të ndjeshme në vitet e para të ndërtimit të Rrugës së Kombit ka kohë që nuk po munden të kalojnë nivelin e 200 milionë eurove në vit.

“Praktika të mbylljes ‘de facto’ të tregjeve respektive për prodhimet dhe shërbimet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë të pranishme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si bujqësia, industria ushqimore, e pijeve, industritë e materialeve të ndërtimit, etj. Janë shënuar dhe raste të përplasjeve të drejtpërdrejta të pandershme ndërmjet bizneseve konkurrente me përfshirjen e papranueshme të institucioneve shtetërore”, theksohet në komunikatën dërguar medieve.

Konfindstria vlerëson se përtej zotimeve mediatike qeveritare në takime zyrtare, në praktike ndeshemi me mungesa të theksuara në ndërtimin e politikave të përbashkëta ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

“Rastet e mungesës së bashkëpunimit në menaxhimin e përdorimit të Rrugës sëKombit, në kryerjen e investimeve të përbashkëta në infrastrukturë, energji, etj. deri në kërcënime të qarta të fillimit të një lufte tregtare, sikurse janë shprehur publikisht se fundmi qeveritarë të ndryshëm, flasin qartë për gjendjen e papranueshme të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme