Konsumi i energjisë është rritur për 12% krahasuar me vitin e kaluar, KEDS: Ndizni bojlerin sipas nevojës

Prishtinë | 22 Sht 2022 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Konsumi i energjisë elektrike është rritur për 12 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kështu ka bërë të ditur KEDS-i përmes një komunikatë, i cili tha se rritja e konsumit ka ndodhur që nga fillimi i kësaj jave për shkak të ftohjes së kohës, teksa paralajmëroi se rritja e konsumit të energjisë elektrike do të mundë të vështirësojë funksionimin e sistemit elektroenergjetik të vendit.

“KEDS/KESCO apelojnë te qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, por të gjejnë alternativa tjera aty ku kanë mundësi. Në të njëjtën kohë, qytetarëve u bëjmë thirrje të kursejnë rrymën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të kemi një dimër sa më të lehtë”.

“Çmimet në berzat ndërkombëtare janë në qiell dhe si rrjedhojë gjatë dimrit nevojitet të blihet nga jashtë një sasi shumë e madhe e energjisë elektrike për t’u përballuar komplet kërkesa, pasi prodhimi vendor nuk ka kapacitete të mjaftueshme. Sa më e ulët kërkesa, aq më pak është e nevojshme të importohet energjia elektrike. Blerja me këto çmime është shumë e vështirë dhe e papërballueshme për ekonominë vendore”, thuhet në komunikatën e KEDS-it, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në komunikatë thuhet se ulja e kërkesës për energji elektrike bëhet duke e evituar ngrohjen me rrymë, duke mos i ndezur dritat pa nevojë, duke i përdorur makinat e larjes pas orës 23:00 dhe të lëshohet bojleri sipas nevojës.

“Të kursejmë bashkë, sepse vetëm kështu sistemi ynë elektroenergjetik nuk vihet në vështirësi serioze funksionimi. Shprehi të vogla, por me ndikim të madh! Vetëm duke kursyer mund t’ia dalim bashkë mbanë”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme