Kontrolli i cilësisë së naftës – pozita kërkon të vendos Qeveria, për opozitën Dogana është kompetente

Prishtinë | 12 Nën 2021 | 11:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të premten ka shqyrtuar raportin me amendamente për Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i  këtij Komisioni Ferat Shala tha se janë në fazën përmbyllëse të hartimit të tij, duke e cilësuar si një ligj shumë të rëndësishëm.

“Konstatoj se jemi në fazën përmbyllëse pas takimeve të vazhdueshme që kemi pasur të draft ligjit për naftën, dhe konsideroj se është një ligj shumë i rëndësishëm”.

Përderisa gjatë mbledhjes pati debat ndërmjet deputetëve sa i përket kontrollit të cilësisë së naftës. Kryetari Shala tha se kontrolli nga Dogana nuk e cenon çështjen e konkurrencës e as nuk ndërhyjnë në vendimet e Qeverisë.

Kurse deputeti i VV-së Driton Hyseni tha se kjo çështje duhet t’i takoj Qeverisë dhe ministrisë përkatëse.

“Ideja është që t’i lihet ministrisë diskrecionin sepse fundja ata do të japin përgjegjësi para qytetarëve për cilësinë  e naftës”, tha Hyseni.

Shala i’u kundërpërgjigj deputetit Hyseni se me krejt këtë po i humbasin besimin Doganës dhe po i lihet në dorë një ministri të merr vendim.

“Ne po ja humbim besimin Doganës dhe pse me ja lanë ministrit që me favorizuar një apo dy laborant për me u marrë me cilësinë e naftës”, i’u kundërpërgjigj Shala.

Në diskutim e sipër mbi atë se kujt t’i lihen kompetencat e kontrollit të cilësisë së naftës, deputeti i AAK-së Pal Lekaj tha se më mirë do ishte që me këtë çështje të merret Dogana, raporton EO.

“Nga praktikat që kemi pasur deri tani nuk ka qenë mirë që u kemi lënë individëve të caktuar përgjegjësia dhe të mos i lihet një individi të caktuar me manipuluar apo me qenë fontanë dëshirash”.

“Çdo Qeveri që ka ardhur ka vepruar sipas dëshirës së vet dhe jo për interes të përgjithshëm për inspektimin e cilësisë së naftës”, tha Lekaj.

“Më mirë është t’i lihet Doganës sesa laborantëve të caktuar, pajtohem me kryetarin që më mirë të mos t’i lihet ministrit”.

Të ngjashme