Dogana e Kosovës anëtarësohet në Organizatën Botërore të Doganave

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 12:43 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova është anëtarësuar në Konventën themeluese të Këshillit për Bashkëpunim Doganor. Përmes aderimit në Konventë Kosova është anëtarësuar edhe në Organizatën Botërore të Doganave me seli në Bruksel, raporton Ekonomia Online.

Anëtarësimi në këtë organizatë vlerësohet se është më i rëndësishmi pas anëtarësimit në Bankën botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që lidhet me fushën e zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Isa Mustafa në një konferencë për media tha se ky hap ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për avancimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës.

“Në rrafshin e jashtëm dhe të brendshëm, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë Organizatë mundëson që Dogana e Kosovës të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota anëtarësimi në konventa e instrumente tjera ndërkombëtare, ndihmon në tregtinë me shtetet tjera, asiston në shkëmbim të informatave dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, në luftimin e piraterisë, ekonomisë jo formale, ndihmon në forcimin e kapaciteteve doganore, luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitime tjera të cilat do t’i evidentojmë edhe në aspektin e të gjitha rezultateve pozitive të cilat ne i arrijmë, por edhe ndaljen e dukurive negative, për të cilat nuk kemi mundur të arrijmë të kemi qasje pa qenë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare. Organizata Botërore e Doganave (OBD) është organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1952 si Këshill i Doganave për Bashkëpunim. Sot, kjo organizatë botërore përbëhet nga 181 shtete përkatësisht 181 administrata doganore anembanë globit”, tha kryeministri Mustafa,

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se ky është njëri prej anëtarësimeve më të rëndësishme për Kosovën.

“Ju e dini që politika e jashtme dhe tregtia e jashtme shkojnë së bashku dhe është një lajm ku Kosova realisht bëhet pjesë e 181 administratave doganore dhe e 98 për qind të tregtisë botërore, që do të thotë se është një  arritje shumë e madhe. Qëllimi ynë është që përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e kësaj natyre, ne mbi të gjitha synojmë që t’i përmbushim kërkesat tona të brendshme. Pra, qëllimi ynë që ta ndjekim një politikë të jashtme, e cila i përmbush nevojat e brendshme, kërkesat e brendshme dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i raporteve tregtare mes Republikës së Kosovës me vendet tjera si dhe roli që mund ta ketë një anëtarësim i tillë në parandalimin e fenomeneve si terrorizimi, ekonomia joformale, janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

 Ai falënderoi Belgjikën dhe shumë shtete të cilat kanë luajtur një rol vendimtar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate.

“Dogana e Kosovës së bashku me Policinë e Kosovës janë institucionet më të mira të Evropës Juglindore. Ne do të bëjmë përpjekje që gjatë muajve të ardhshëm të kemi anëtarësime të tjera. Ne kemi pasur një konferencë të ambasadorëve dhe fokusi është që të kemi një diplomaci multidimensionale”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar se fokusi kryesor për vitin 2017 do të jetë diplomacia ekonomike. “Për neve është me rëndësi që diplomacia ekonomike të jetë prioritet i prioriteteve për vitin 2017”, ka shtuar Hoxhaj.

Organizata Botërore e Doganave është themeluar në vitin 1952 dhe përbëhet nga 181 administrata doganore.

Kosova anëtarësohet në Organizatën Botërore të Doganave

Të ngjashme