Kosova dhe BE-ja diskutojnë për MSA-në dhe Energjinë

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët nga Kosova dhe Komisioni Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e Energjisë, Mjedisit, Klimës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cili hyri në fuqi në prill 2016.

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të Agjendës së reformave evropiane dhe prioriteteve të Programit të reformave ekonomike, si dhe rekomandimeve nga Raporti i të Komisionit për Kosovën për 2018 dhe rekomandimet e mëhershme përkatëse të nënkomisioneve të tjera relevante.

Sa i përket energjisë, Komisioni përshëndeti miratimin e Programit të Veprimit për Strategjinë e Energjisë 2018-2020 dhe theksoi rëndësinë e zbatimit. Kjo duhet të përcaktojë qartë prioritetet e Kosovës në këtë sektor, duke përfshirë plane për përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare siç është pakoja e 3-të e energjisë dhe dekomisionimi i TC Kosova A dhe remonti i TC Kosova B.

Sa i përket TC Kosova e Re, Komisioni theksoi rreziqet e rëndësishme që lidhen me financimin, ndërtimin dhe ndikimin e mundshëm mjedisor, social dhe fiskal. Komisioni shprehu shqetësimin për vonesat e vazhdueshme në miratimin e Ligjit për rezervat e detyrueshme të derivateve të naftës.

Komisioni përshëndeti miratimin e Ligjit për efiçiencën e energjisë dhe krijimin e Fondit për efiçiencë të energjisë, megjithatë theksoi rëndësinë e miratimit të legjislacionit sekondar që rrjedh nga Ligji për efikasitetin e energjisë si dhe funksionalizimin e Fondit për efiçiencë të energjisë.  Në nxitjen e përpjekjeve për të arritur objektivat e energjisë së ripërtërishme, Komisioni ftoi Kosovën të siguroj miratimin dhe zbatimin e planit të saj të rishikuar të veprimit për energjinë e ripërtërishme.

 Lidhur me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësim për progresin e kufizuar në këtë fushë, e cila ka rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre. Në veçanti, Komisioni pyeti për përparimin në monitorimin e cilësisë së ajrit në kohë reale dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit.

Në lidhje me veprimin klimatik, Kosova ka miratuar Strategjinë dhe Planin e veprimit për ndryshimet klimatike, por ka nevojë të fillojë t’i zbatoj ato.

Gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet më të fundit legjislative dhe politike në fushën e transport. Komisioni theksoi nevojën për të vazhduar zhvillimin e projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit kryesor të transportit për Ballkanin Perëndimor. Të dy palët u dakordua për nevojën për të vazhduar reformat, duke përfshirë fuqizimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit. Homologimi i automjeteve mbetet një çështje që duhet të adresohet urgjentisht nga autoritetet e Kosovës. Për sa i përket sigurisë në rrugë, përderisa e përafron legjislacionin e saj me acquis të BE-së, Kosova duhet të marrë masa konkrete për të përmirësuar sigurinë në rrugë, në interes të qytetarëve.

Së fundi, sa i përket zhvillimit rajonal, Komisioni theksoi rëndësinë e miratimit të strategjisë për zhvillimin e balancuar rajonal.

Sfondi

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. Trupat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asociimit, të mbështetur nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të Acquis të BE-së. Takimet e trupave të MSA-së japin një kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Çdo takim i nën-komisionit mbikëqyr dhe përcjell zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE mund të ndihmojë në këtë proces.

Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komisioneve, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.

Dy fusha të tjera të mbuluara përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme