Kosova është vonuar në zbatimin e politikave industriale, thuhet në debatin e organizuar nga Riinvest

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 13:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Riinvest ka lansuar blogun “Riinvest Blog” dhe ka diskutuar mbi politikat industriale, raporton Ekonomia Online.

Visar Vokrri, hulumtues në Riinvest, tha se kjo do jetë platformë e cila do t’iu shërbejë ekonomistëve.

“Kjo platformë synon të shërbejë si vendtakim për ekonomistë për një debat për zhvillimet ekonomike dhe trendët ekonomike në vend. Në këtë platformë në baza mujore do trajtojmë tema të ndryshme ekonomike. Janë politikbërësit ata që vendosin për politikat industriale”.

Muhamet Mustafa, profesor në Riinvest, tha se Kosova është vonuar në zbatim të politikave industriale dhe se është keqkuptuar funksioni i tyre real.

“Problemi fillestar është se ne jemi vonuar shumë në këtë debat sa i përket ndërtimit të zbatimit të politikave industriale. Transformimet në ekonomi në Kosovë kanë qenë shumë të ngadalshme dhe në tërësi e shprehin varfërinë e politikave industriale. Edhe parashikimet në 2018 nuk janë më të mirë, mbetemi aty ku kemi qenë”, tha Mustafa.

“Kosova ka nevojë të ngutshme të kompletojë politikat industriale për të rritur dhe konstruktuar ofertën e saj në zëvendësim të eksporteve dhe rritje të importeve sepse vetëm në këtë mënyrë rrisim punësimin”, shtoi ai.

Ekonomisti Bleron Menzelxhiu prezantoi hulumtimin mbi politikat industriale.

“Qasja e parë është ajo që duhet të ketë politika industriale, intervenime të shtetit në strukturat ekonomike. Qasja tjetër është që mundohet të gjejë një mes të artë sipas së cilës duhet të dizajnojë institucionet tona që ato të bëjnë politika industriale”.

“Politikat industriale përfshijnë sektorë që synojnë shërbime jotradicionale. Nëse në Kosovë do kishte politika industriale shumë ministri do të preknin planin e kësaj politike”. Sipas tij, kjo kërkon monitorim më të mirë nga Qeveria dhe komunikimi ndërinstitucional.

“Në Kosovë së fundi jemi duke vazhduar t’i dizajnojmë politikat përfshirë diskutimin publik. Nuk mund të dizajnojmë politika nga lartë poshtë. Çdo strategji që prodhohet duhet ta kalojë testin. Diskutimit publik, duhet të merren mendimet e të gjithëve”, u shpreh Menzelxhiu.

Petrit Gashi, profesor, tha se një diskutim i tillë mbi politikat industriale nuk është zhvilluar në 20 vjetët e fundit në Kosovë.

“Efektet ekonomike nuk janë siç janë menduar. Në thelb të krejt kësaj politike janë pa dyshim institucionet. Dikush duhet të jetë që duhet ta marrë përsipër këtë politikë. Duhet të ketë koordinim të madh mes këtyre politikave”.

“Ndoshta problemi më i madh është niveli i institucioneve tona. Kjo politikë industriale duhet të ndërtohet në kuadër të disa kufizimeve të mëdha që i kemi, një prej tyre është që e kemi liberalizuar tregun tonë dhe kjo në kontekst të politikës industriale na ngushton shumë horizontin e politikëbërjes”.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se masat në rrije të inovacionit, në rritje të eksportit dhe masa që rrisin produktivitetin e fuqisë punëtore janë tri shtylla ku duhet të bazohet politikëbërja industriale moderne.

“Kemi harru që ekziston një shtresë e tretë dhe e katërt e industrisë, e treta që është pjesë e IT-së dhe e katërta që është pjesa e inovacionit dhe zhvillimit që sot janë kompetencat kryesore të politikave industriale”.

“Një politikë industriale me një shtrirje horizontale duhet të kishte ndikimin e vet në adresim të të gjitha elementeve. Nuk e kemi të ketë me bë këtë. I kemi pesë gjashtë ministri që kanë mekanizma me ndikuar në zhvillimin e vendit. Nëse doni të shihni a është prioritet shihni planin e partive politike”.

Të ngjashme