Kosova ka potencial për energji të ripërtërishme – Rizvanolli paralajmëron liberalizimin e tregut

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 11:05 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka organizuar ngjarjen “Ditët e industrisë së BE-së 2022”, me ç’rast u diskutua rreth implementimit të agjendës së gjelbër në Kosovë, tranzicionin digjital dhe mundësinë e investimeve në fushën e energjisë së ripërtërishme, raporton Ekonomia Online

Emrush Ujkani, drejtor i EIC, tha se janë të nderuar që për të dytin vit janë përzgjedhur për të organizuar një eveniment me rastin e “Ditëve të Industrisë Evropiane”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ishte një nga panelistët, tha se për Kosovën është me rëndësi të bashkërendojë politikat ekonomike me agjendën e BE-së. Sipas tij, tregu i BE-së është i gatshëm të krijojë vende pune dhe të rrisë kapacitetet e prodhimit.

“Tregu i brendshëm i BE-së dëshiron të krijojë vende të punës, të rrisë kapacitet e prodhimit; por edhe të krijojë revolucion industrial, siç është siguria kibernetike. Për Kosovën është me rëndësi të bashkërendojë politikat ekonomike me agjendën e BE-së”.

“Kosova ka potencial që të bëhet pararendës në regjion në energji të ripërtërishme. Dua të theksoj potencialin në sektorin industrial sesi rinia mund ta formësojë industrinë. Kosova si populli më i ri duhet ta shfrytëzojë këtë potencial. Kemi mbështetur ndërmarrje të vogla e të mesme me 5 milionë euro”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kriza aktuale energjetike është mjaft sfiduese për Kosovën. Ajo u shpreh se kjo krizë nuk është imagjinuar një vit më parë.

“Shpresojmë se do të kthehemi në fazë normale sa i përket krizës energjetike. Ne duhet ta drejtojmë punën drejt agjendës së gjelbër. Dimri që po kalon ka qenë i vështirë për ne. Me strukturën e re tarifore që është paraqitur nga Agjencia rregullatore dhe zhvillimet e fundit i kanë bërë njerëzit më të vetëdijshëm me sfidat që përballohemi”.

“Dhe besoj se kjo paraqet mundësi shumë të mirë që të vazhdojmë për ta përballuar këtë krizë. Sa i përket strategjisë afatgjate kemi vizionin e qartë. Duhet të jemi në dijeni për kufizimet teknike dhe financiare dhe të sigurojmë furnizimin për konsumatorë. Duhet të punojmë me Shqipërinë për sektorin e energjetikës”.

“Kosova do të ketë një ligj për burimet e ripërtërishme”, tha Rizvanolli.

Tutje, ajo tha se kanë për qëllim të tërheqin investitorë privatë dhe po shikojnë për disa pilot-projekte.

“Është herët të flas për këtë gjë, por qëllimi është të tërheqim investitorë privatë. Do të punojmë me rregullatorin se kur do të jetë e realizueshme. Çështja më e rëndësishme është t’u mundësojmë bizneseve të implementojnë projekte të tilla. Faktori i parë është liberalizimi i tregut”, tha Rizvanolli.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, foli për përkrahjen që po jep Qeveria për ekonominë digjitale. Tha se shumë biznese falë digjitalizimit ia kanë parë hajrin pandemisë duke shitur përmes internetit.

“Digjitalizimi është paraqitur faktor në industrinë prodhuese. Shumë biznese për shkak të digjitalizimit ja dinë nder pandemisë se kanë shitur përmes digjitalizimit. Disa nga bizneset vetëm duke digjitalizuar ata kanë mbijetuar. Ndërveprimi ndërmjet industrisë është prioriteti ynë. Në çdo grant kemi futur përkrahjen për digjitalizimin e ndërmarrjeve. Ne jemi Qeveri që përballë një sfide që punojmë në ndërtimin e sistemit për industri, investime por edhe në rishikimin e ligjeve sepse nuk janë mirë disa prej tyre. Ligji për turizmin dhe zonat ekonomike është në finalizim që na ndihmojnë edhe për digjitalizim. 2 milionë euro kishim për grante vitin e kaluar”

E Linda Çavdarbasha nga Ministria e Mjedisit, tha se prioritet i tyre është implementimi i masave adekuate në hartimin e ligjit për ndryshime klimatike.

“Në Ministrinë e Mjedisit merremi çdo ditë më raste për projekte të mëdha të infrastrukturës për të ulur ndotjen. Prioritet tona janë implementimi i masave adekuate në hartimin e ligjit për ndryshime klimatike. Duhet të fokusohemi në energji të ripërtërishme solare. Prioriteti i Ministrisë është përqendrimi në agjendën e gjelbër, qytetet e mençura dhe modernizimin e rrjetit Prishtinë – Pejë dhe Prishtinë – Hani i Elezit”.

“Mendoj që bizneset duhet të jenë me linjë që e ka strategjia siç është transporti, hekurudha dhe automjetet elektrike. Bizneset do të duhej të kujdeseshin për riciklim. Investimet në Kosovë duhet të shkojnë drejt riciklimit. Jemi duke punuar në disa projekte që shkojnë në drejtim të ekonomisë qarkore. Jemi në linjë me ligjet e BE dhe sa i përket qeseve të plastikës do të përfundojë këtë vit”, tha ajo.

Të ngjashme