Kosova merr nga KfW-ja grant prej 5.4 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 14:47 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, dhe drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW), Kirk Mildner kanë nënshkruar dy marrëveshje për grant për menaxhimin e mbeturinave, raporton Ekonomia Online.

Marrëveshja në vlerë prej 5.4 milionë euro siguron mjete për dy projekte “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta”, në vlerë prej 4 milionë euro dhe “Shërbime Profesionale të Pranuesit në Kuadrin e Programit II të Menaxhimit të Mbeturinave”, në vlerë prej 1.4 milionë euro.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se Gjermania është një ndër donatorët më të mëdhenj për Kosovën. Ai theksoi se këto dy marrëveshje kanë rëndësi të veçantë sepse sipas tij, janë mjete pa kthim.

“Ju falënderoj juve taksapaguesit gjerman përkrahje të vazhdueshme për investime në Kosovë. Gjermania është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, Gjermania ka investuar në energji në trajtimin e ujërave, në sektorin e arsimit, në sektorin financiar dhe tash sot ne nënshkruam dy marrëveshje që kanë të bëjmë me një fushë të rëndësishme që është ambienti dhe të gjithë pajtohemi se ka investime në ambient dhe ky sektor është top prioritet për Kosovë”.

“Marrëveshjet që nënshkruam sot kanë vlerë të madhe se janë kontribut pa kthim unë them para falë, janë para të taksapagueseve gjerman që janë të dedikuara për përmirësimin e gjendjes së ambientit”.

“Nga fillimi i mandatit tim janë nënshkruar 72.4 milionë grante, para falë, dhe me këtë marrëveshje mbërrin shumën prej 78 milionëve”.

Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në Bankën Zhvillimore Gjermane (KfW), Kirk Mildner ka theksuar se qeveria gjermane ka investuar në Kosovë në më shumë se 100 milionë euro e veçanërisht në përmirësimin e gjendjes për furnizim me ujë, raporton EO.

“Është kënaqësi e veçantë që i nënshkruam këto dy marrëveshje sot, këto janë dëshmi të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që e kemi me Qeverinë e Kosovës. Ne kemi pasur shumë bashkëpunime të tjera në të kaluarën, e posaçërisht në sektorin për ujë”.

“Ne kemi investuar më shumë se 100 milionë euro e sidomos në përmirësimin e gjendjes  me furnizim me ujë, rast i fundit i suksesit ka qenë ai në Prishtinë që ishte para disa viteve”.

Ndërsa, Anja Becky, sekretare e parë në ambasadën gjermane, ka thënë se me bashkëpunime të shumta qeveria gjermane ka arritur t’i ndihmojë Kosovës në përmirësimin e sistemit të ujit në veçanti.

“Ne jemi në gjendje të implementojmë plot e plot projekte e sidomos në infrastrukturën e qyteteve dhe me bashkëpunim nga të dy palët. Ne kemi arritur edhe këto marrëveshje. Me bashkëpunim të mirë ne kemi arritur të bëjmë edhe përmirësime në sistemin e ujit e sidomos me projekte që lidhen me natyrën pasi që e dimë që gjërat që lidhen me natyrën kanë rëndësi dhe janë shumë të ndjeshme pasi që varet edhe mirëqenia e personave nga natyra”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme