Kosova për herë të parë me Strategji për energji, synohet furnizim i rregullt e bashkëpunim rajonal

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 09:56 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Punues për hartimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, ka mbajtur takim ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast ai tha se synimet në energji dhe reformat do të jenë në përputhje prezantimet që po bëhen nëpër botë, duke shtuar se kjo është strategjia e parë që do të hartohet nga ekspertët.

Sipas tij, në këtë strategji është menduar edhe për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme, duke synuar bashkëpunim me vendet e rajonit, fillimisht me Shqipërinë.

Furnizim të rregullt me energji për familjet e bizneset ka garantuar Kurti, e krejt kjo me qëllim që tranzicioni energjetik të jetë i barabartë.

“Për 20 vjet nuk ka pasur studim në fushë e energjisë. Duhet të sigurojmë furnizim për qytetarët dhe bizneset. Synimet tona në energji, janë në përputhje me reformat që po prezantohen në botë, ku një takim i tillë u mbajt në Glasgou. Kjo është strategjia e parë për energji e përpiluar nga ana e ekspertëve. Strategjia jonë e energjisë do të jetë drejtë energjisë së pastër, duke pasur praktika të njëjta si në Evropë, ShBA e në shumë vende tjera”.

“Skemat konkurruese janë disa mjete që do të na ulin çmimet konkurruese në treg, andaj, do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme, duke krijuar solare, për tu krijuar atyre që tranzicioni energjetik  të jetë i barabartë”.

“Ne planifikojmë angazhimin përmes hapave kryesor. Strategji duhet të jetë e hapur dhe transprent. Ky grup punues ka mbështetjen tonë, dhe inkurojmë që gjatë këtij grupi t’i ftojmë ekspertët dhe shoqërinë civile”, u shpreh Kurti.

E ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, tha se mungesa e investimeve në rigjenerim në vitet e kaluara vazhdon të prek sigurinë energjetike që ka ndikuar negativisht te bizneset kosovare.

Teka ka folur për strategjinë e energjisë, Rizvanolli tha se janë të angazhuar të zhvillojnë një strategji që siguron një tranzicion energjetik në Kosovë.

“Ne si ministri jemi të angazhuar të zhvillojmë një strategji që siguron një tranzicion energjetik për vendin tonë, i cili siguron drejtësi sociale për të gjithë qytetarët. Vizioni që na udhëheq gjatë hartimit të kësaj strategjie është rruga afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, ndërkohë që ne ruajmë sigurinë energjetike për konsumatorët, rrisim burimin e energjisë së pastër dhe sigurojmë integrim të pastër të energjisë me ekonomi të qëndrueshme”.

“Mungesa e investimeve në rigjenerim në vitet e kaluara vazhdon të prek sigurinë energjetike që ka ndikuar negativisht te bizneset tona, prandaj sektori ynë energjetik në Kosovë ka nevojë për reforma dhe zhvillim të tillë që ndihmojnë rritjen e bizneseve tona, tërheqjen e investimeve të huaja dhe përfundimisht rritjen ekonomike të vendit dhe punësimin e të rinjve tanë”, tha ajo.

Fjala e plotë e kryeministrit, Albin Kurti:

E nderuar Ministre Rizvanolli,

Të nderuar anëtarë të Grupit Punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë,

I nderuar Z. Oven,

Sektori i energjisë është sektor prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, një sektor ky i cili prekë çdo aspekt të jetës së qytetarëve tanë. Gjatë njëzet viteve të fundit, sektori i energjisë në vend nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve që është bazuar në studime, analiza shumë-dimensionale e të dhëna faktike. Ne duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset, në mënyrë që të kemi jetë normale për qytetarët si konsumator, si dhe zhvillim ekonomik, industrial e punësim në vend.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 është strategjia e parë e energjisë në Kosovë, e cila përpos që do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve, është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente.

Për këtë arsye ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme të zhvillimit të një Strategjie Kombëtare të Energjisë dhe identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që sektori jonë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik – tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruajë sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal, në radhë të parë me Shqipërinë, por edhe me vendet tjera.

Synimet tona në sektorin e energjisë dhe gatishmëria jonë janë në përputhshmëri me reformat që po miratohen e po promovohen në nivel Evropian e së fundi edhe në Konferencën e 26-të të shteteve nën Konventën e OKB-së për ndryshime klimatike që u mbajt tash së fundmi në Glasgow.

Strategjia jonë e energjisë do ketë objektiva mjaft ambicioze drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit. Këto objektiva do të përfshijnë një seri praktikash të bazuara në praktikat më të fundit e më të mira në Shtetet e Bashkuara, në Evropë e në vendet tona partnere të cilat kanë filluar rrugën e tyre të tranzicionit para nesh.

Skemat mbështetëse konkurruese janë vetëm një shembull i mjeteve që do të na ndihmojnë të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër. Kjo është e rëndësishme sepse strategjia gjithashtu duhet të sigurojë që energjia elektrike do të jetë e qasshme dhe e përballueshme për qytetarët tanë, e veçanërisht konsumatorët e cenueshëm të cilët do të mbështeten nga Qeveria.

Andaj do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme, të cilët do të përfshijnë programe sikurse: shfrytëzimi i paneleve solare në çati për kursime, adaptimi i masave të efiçiencës së energjisë etj. për t’u siguruar që tranzicioni do të jetë i drejtë për të gjithë.

Është e qartë për qeverinë tonë se tranzicioni energjetik varet shumë nga aftësia jonë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit.

Ne planifikojmë të sinjalizojmë angazhimin tonë ndaj perspektivës së re të energjisë përmes hapave kryesorë në vijim:

E para, ne planifikojmë të vendosim një kuadër ligjor dhe rregullator që do të lehtësojë tranzicionin e drejtë të energjisë. Promovimi i burimeve të ripërtrishme të energjisë, efikasiteti i energjisë dhe integrimi në tregjet rajonale, përfaqësojnë shtyllat kryesore të kornizës – kuadri rregullator e këtë rast do të përafrohet me objektivat evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për të tërhequr investime të mëtejshme.

E dyta, ne do të fillojmë të përgatisim sistemet tona të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë për të integruar më shumë kapacitete të energjisë së ripërtrishme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës.

Përmbushja e kërkesave ambicioze të dekarbonizimit është sfiduese, por gjithashtu paraqet një mundësi për Kosovën që të diversifikojë prodhimin e saj me energji të ripërtrishme. Është e rëndësishme që procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë të jetë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Konsultimet dhe sesionet dëgjimore me ekspertë e profesionistë përgjatë gjithë procesit do të sigurojnë që Strategjia Kombëtare e Energjisë të pasqyrojë një vizion të përbashkët për të ardhmen energjetike të Kosovës. Ky grup punues ka mbështetjen tonë të plotë. Ne i inkurajojmë që gjatë hartimit të strategjisë të ftojnë edhe ekspertë tjerë të jashtëm, shoqërinë civile, sektorin privat vendor, dhe akterë tjerë që të kontribuojnë  në hartimin e një strategjie transparente.

Së fundi, Qeveria e Kosovës e veçanërisht Ministria e Ekonomisë është tejet mirënjohëse për grupin e ekspertëve, për ndihmën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dhe të gjithë kontribuesit tjerë të cilët janë duke u siguruar që qytetarët e Kosovës kanë përpara një proces të drejtë dhe në dobi të tyre.

Jemi të lumtur të vazhdojmë punën për një të ardhme energjetike të Kosovës më të ndritshme, më të qëndrueshme dhe më miqësore për mjedisin tonë.

Të ngjashme