Kosova prezantohet në Londër me gjysmë miliardi euro projekte

Prishtinë | 23 Shk 2018 | 09:23 | Nga

Qeveria e Kosovës në takimin e 6 kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër, më 26 shkurt 2018, me ftesë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të prezantohet me dhjetëra projekte të fushave të ndryshme, që arrin shumë e rreth 550 milionë euro.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi bëri me dije se në këtë konferencë Kosova do të prezantohet me shumë projekte që lidhen me infrastrukturën e komunave, projekte private etj.

“Në takimin e Londrës nga Kosova do të marrin pjesë kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ministri i Financave Bedri Hamza dhe Gazmend Abrashi koordinator i Ballkanit Perëndimor (BP6)”, i tha ajo sot RTK-së.

“Janë mbi 20 projekte që ndërlidhen me infrastrukturën e komunave, ndërsa 15 projekte private që ndërlidhen me bizneset private”, tha ajo.

Gashi bëri me dije se janë projekte që ndërlidhen me infrastrukturën e komunave, rrugë qyteti e fshati, infrastrukturë në shkolla, trajtimin e ujerave të zeza, ndërtimin e minipendave, rehabilitimin e shtratit të lumenjve, që përfshijnë rajonet urbane dhe rurale të qyteteve të Kosovës.

“Ka edhe projekte private që ndërlidhen me energji solare dhe erë, ndriçim rruge dhe ndriçim publik, sport dhe rekreacion, si dhe kapacitete prodhuese që përfshijnë rajonet urbane dhe rurale”, tha ajo.

Sipas saj Unaza e kryeqytetit do të jetë njëra ndër projektet. “Kryeministri ka udhëtuar nëpër Kosovë ku ka parë projektet që kanë prezantuar komunat. Ka pasur shumë projekte nga komunat. Në këto diskutime ka qenë e kyçur edhe Oda Ekonomike e Kosovës”, tha ajo.

Vlera e përgjithshme e projekteve publike dhe private arrin shumën rreth 550 milionë euro, rreth 250 milionë euro janë projekte publike dhe rreth 300 milionë euro janë projekte private

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme