Kosova rrezikon humbjen e 400 milionë eurove për rastin e Telekomit

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 16:31 | Nga

Kompania gjermane e investimeve, që u pengua në përpjekjet e saj për të blerë Telekomin e Kosovës gjatë vitit 2013, është duke kërkuar deri në 400 milionë euro (419 milionë dollarë) kompensim në një gjykatë ndërkombëtare të arbitrazhit, i thanë Reuters dy burime të afërta me këtë çështje.

Shuma prej 200 deri në 400 milionë euro përbën 10-20 për qind të buxhetit të vitit 2017 të shtetit ballkanik dhe do të ishte goditja më e fundit për Qeverinë e Prishtinës që rrjedh nga operatori ish shtetërore i telekomit, raporton Reuters.

Parlamenti i Kosovës ka bllokuar shitjen e planifikuar të Telekomit të Kosovës për ACP Axos Capital Gmbh për 277 milionë euro në vitin 2013.

Qeveria e Kryeministrit, Isa Mustafa, tha se do të kundërshtojë kërkesën, por nuk pranoi të japë detaje.

Në një rast të veçantë javën e kaluar, një gjykatë ndërkombëtare arbitrimi urdhëroi firmën shtetërore të Telekomit që të paguajë 29.6 milionë euro për ofruesin e shërbimit mobil lokal, Z-Mobile, për shkelje të kontratës.

Dikur e vlerësuar me një miliard euro, Telekomi i Kosovës vitin e kaluar pati rënie të neto fitimit prej 63 për qind, në 6 milionë euro. Ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se ajo tashmë është një kompani me humbje.

Telekomi i Kosovës ka të punësuar rreth 2,300 njerëz dhe është ofruesi i shërbimit më të madh të telefonisë mobile të vendit, me pjesëmarrje të tregut prej 54 përqind.

E pavarur për vetëm nëntë vjet, Kosova është një nga vendet më të varfra të Evropës. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë.

Republika e 1.8 milionë njerëzve nuk ka qenë në gjendje që të tërheqë investimet e huaja për të luftuar varfërinë. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e stabilitetit politik janë cituar nga kompani të huaja si pengesat kryesore, përfundon Reuters.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme