Kosovarët vazhdojnë të preferojnë tregtinë me shumicë dhe pakicë

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2019.

Në tremujorin e parë të vitit 2019 (TM1 2019) gjithsej janë regjistruar 2 404 ndërmarrje. Krahasuar këtë tremujor me tremujorin paraprak (TM4 2018) ka një rritje për 0.1% të ndërmarrjeve të regjistruara.  Ndërkaq, krahasuar TM1 2019 me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2018) ka një ulje për (-5.9%) të ndërmarrjeve të regjistruara.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 596 ndërmarrje të regjistruara (24.8%); prodhimi me 277 ndërmarrje të regjistruara (11.5%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 253 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim, me 240 ndërmarrje të regjistruara (10.0%); ndërtimtaria me 232 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Gjatë këtij tremujori, në kategorinë e numrit të të punësuarve nga 1 deri në 4 janë gjithsej 2 314 ndërmarrje të regjistruara (96.3 %); në kategorinë me 5 deri në 9 të punësuar janë 61 sosh (2.5%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar janë 20 ndërmarrje të regjistruara (0.8%); në kategorinë me 20 deri në 249 të punësuar janë 8 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar ka një (1) ndërmarrje të regjistruara.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 759 ndërmarrje të regjistruara (31.6%); Ferizaj me 183 ndërmarrje të regjistruara (7.6%); Prizreni me 175 ndërmarrje të regjistruara (7.3%); Peja me 146 ndërmarrje të regjistruara (6.1%); Gjilani me 134 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); dhe Fushë Kosova me 100 ndërmarrje të regjistruara (5.1%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël.

Të ngjashme