Kostoja e ndërtimit u rrit për rreth 20 për qind, shtrenjtohen banesat

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 22:29 | Nga Ekonomia Online

Me rritjen e kostos së ndërtimit është rritur edhe çmimi i një metri katror të banesave në Kosovë, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha.

Sipas të dhënave që posedon ai, çmimet e materialeve ndërtimore janë rritur gjatë muajit të fundit mbi 20 për qind.

Rritje kanë pësuar edhe çmimet e produkteve ushqimore, naftës, benzinës dhe shërbimeve të tjera.

Për këtë gjendje globale është fajësuar lufta që ka nisur Rusia në Ukrainë, nga 24 shkurti, dhe trazirat në tregje që e kanë pasuar atë.

“Pas fillimit të luftës në Ukrainë kemi një ngritje deri në 40 për qind [të çmimit] të hekurit. [Çmimi] i çimentos është 80 për qind më lart se vitin e kaluar. Këto janë produkte bazë të ndërtimit, por rritje kanë pësuar edhe materialet tjera ndërtimore”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë ka arritur në 650 euro e më shumë, nga 500 sa ka qenë vitin e kaluar.

Fushë Kosova, e cila ndodhet vetëm gjashtë kilometra larg Prishtinës, ka ndër çmimet më të ulëta në treg, thonë në Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës.

Sali Murataj, banor i Prishtinës, thotë se është interesuar të blejë banesë në kryeqytet.

Sipas kërkimeve që ka bërë në treg, ai thotë se çmimet, nga viti i kaluar, janë rritur për më shumë se 200 euro.

“Kam pasur rast kur kam caktuar një termin për të parë një pronë… Çmimi ka qenë 750 euro, [por] kur kemi shkuar na është thënë se është rritur në 950 euro”, thotë Murataj.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se në një lagje të Prishtinës është përballur me çmime edhe më të larta.

“Te Rruga B, çmimi për një metër katror është 1,000 euro”, thotë ai.

Në ueb-faqet e disa agjencive të patundshmërive që ka vizituar Radio Evropa e Lirë, figuron se çmimet e banesave në Kosovë nisin nga 850 euro për një metër katror e lart.

Ato dallojnë varësisht prej lokacionit se ku ndodhet banesa – sa më afër qendrës së qytetit, aq më shtrenjtë.

Të ngjashme