Krasniqi: Për herë të parë në Kosovë do të kemi rënie ekonomike deri në 6 për qind

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi ka thënë se ekonomia globale duke përfshirë edhe rajonin tanë do të kenë rënie ekonomike.

Teksa ka folur për humbjet që janë shkaktuar nga kjo pandemi, Krasniqi ka thënë se rënia ekonomike dhe potencialet për rikthim janë të ndryshme për secilën ekonomi nacionale.  

Pritjet reale sipas tij janë se do të kemi për herë të parë në Kosovë rënie ekonomike midis vlerës 4 për qind – 6 për qind.

Statusi i plotë i tij:

Intervenimi i suksesshëm i shtetit në ekonomin moderne vlerësohet në kohë krize

Ne vitin 2020 pritjet janë se ekonomia globale duke përfshirë edhe rajonin tanë për shkak të pandemisë do të kenë rënie ekonomike. Edhe ekonomia e Kosovës nuk bën përjashtim nga këto zhvillime të përgjithshme ekonomike. Megjithatë rënia ekonomike dhe potencialet për rikthim janë të ndryshme për secilën ekonomi nacionale. Pritjet reale janë se do të kemi për herë të parë në Republikën e Kosovës rënie ekonomike midis vlerës 4% – 6%. Sa do të jetë saktësisht rënia ekonomike në vitin 2020 dhe posaçërisht si do të janë zhvillimet e ardhshme ekonomike varen shumë nga ritmi i intervenimit të qeverise në ekonomi. Ky është vit ku intervenimi i qeveris në këtë kohë pandemie do të ketë rolin kryesor në zhvillimet e përgjithshme ekonomike e që dallon nga vitet tjera kur roli i qeveris ka qenë i rëndësishëm por jo sa është sot ku edhe zhvillimet e sektorit privat varen shumë nga veprimet e qeveris.

Qeveria tani më ka prezantuar një program ku do të kombinojë politikat dhe masat në mënyrë që të kemi në gjysmën e dytë të vitit 2020 një trend ngadalësues të humbjeve në ekonomi dhe të krijojë bazën e duhur për ri ngritje sa më të shpejtë të ekonomisë. Masat e ndërmarra nga qeveri do të sigurojnë stabilitetin makro-fiskal dhe do të krijojnë parakushtet për ringjallje të sektorit privat për të siguruar që në vitin 2021 në rastet se nuk do të kemi rikthim të pandemisë, të kemi një ri ngritje ekonomike.

Për herë ta parë sikurse edhe në ekonomit tjera edhe në Kosovë një pjesë të faturës së krizës të sektorit privat duhet transferuar në atë publik. Për të ndodhur kjo qeveria pa humbur kohë ka përgatitur planin që të rishikoj shpenzimet publike, të përshtat këto shpenzime me të hyrat reale ekonomike dhe të siguroj fondet e domosdoshme për implementim të pakos emergjente dhe pakos për rimëkëmbje ekonomike. Këtë vit dhe vitin e ardhshëm, qeveria do të kujdeset që shpenzimet e rregullta rrjedhëse të mos rriten, të ruaj nivelin e investimeve publike në nivele të kënaqshme duke investuar në projektet e filluara tani më dhe në projekte me fizibilitetin më të lartë të kthimit.

Kosova si shtet i ri ka nivelin e borxhit publik më të ulëtin në rajon dhe me gjerë, këtë përparësi në pjesën më të madhe duhet ta shfrytëzoj për rikthim dhe zhvillim të sektorit privat duke garantuar dhe subvencionuar ato fusha që kanë perspektiv në tregun e brendshëm dhe potencial për të eksportuar në tregun e jashtëm.

Ky kurs qeveritar, siguron Kosovës që në periudhën afatmesme të ketë stabilitet dhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik e që pastaj do të përcillet edhe me rritje të shpenzimeve publike dhe mirëqene më të madhe shoqërore.

Potenciali ekonomik dhe financiar ekziston. Tani nevojitet që Institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshire Qeverinë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, Komunat, BQK dhe Institucionet tjera shtetërore të marrin përgjegjësit e tyre që ju takojnë. Vonesat në marrjen e këtyre përgjegjësive sjellin efekte tejet negative për ekonomin dhe ulje të mirëqenies së qytetareve për shumë vite.

Të ngjashme