Krasniqi: Zona ekonomike në Vushtrri, brenda këtij viti e gatshme për biznese

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka vizituar komunën e Vushtrrisë, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri.

Pas bisedave në komunë, ministri Krasniqi, bashkë me kryetarin Tahiri, kanë vizituar Zonën Ekonomike në këtë komunë për të parë nga afër dinamikën e punimeve që janë duke u bërë në këtë zonë.

Ministri Krasniqi ka thënë se Zona Ekonomike në Vushtrri do të jetë mundësi e mirë për bizneset, duke u zotuar se punët e mbetura do të finalizohen në fund të nëntorit.

“Jemi në një Zonë Ekonomike, që Vushtrrisë do t’i ofrojë shumë mundësi të mira, e në veçanti bizneseve të cilat janë të interesuara të prodhojnë. Besoj se deri në fund të nëntorit do të finalizojmë dhe do të ketë mundësi që nga komuna të përfitojnë 23 biznese prodhuese”, ka deklaruar ministri Krasniqi.

Kreu i MTI-së, Vesel Krasniqi, ka thënë se është diskutuar për dy investitorë të cilët komunën e Vushtrrisë do ta kthejnë në zonë premtuese për bizneset.

“Diskutuam në takim në komunë edhe për dy investitorë që janë mjaftë të rëndësishëm, investitorë strategjikë, që do të kenë mundësinë të investojnë në komunën tuaj, dhe kështu komuna e Vushtrrisë do të kthehet në një zonë biznesore, në një zonë premtuese për bizneset prodhuese dhe ato tregtare.”, thotë Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka thënë se kjo nuk është zona e fundit dhe do të krijohen zona ekonomike të reja edhe në komunat tjera, ku do t’u jepet hapësire të gjitha bizneseve në çdo komunë, që të kenë mundësi ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka falënderuar ministrin Veseli për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar për investime. Ai ka përmendur edhe investimet strategjike që po bëhen në këtë komunë.

“Këto dy investime pritet të kompletohen në afat 5 vjeçar dhe natyrisht se ministri i ka dhënë një shtytje të re dhe jam i lumtur që komuna e Vushtrrisë do të jetë përfituese nga sektori privat, që do ta transformojnë Vushtrrinë dhe do t’i japin vlerë të shtuar edhe Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme