Kryeministri iu premton minatorëve pensione, bursa për fëmijët e punësim të familjarëve

Stantërg | 20 Sht 2017 | 15:45 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit me menaxhmentin e “Trepçës, ka vizituar minierën e Stantërgut, ku është pritur nga minatorët.

Haradinaj ka bashkëbiseduar me minatorët, duke u premtuar atyre zgjidhje dhe adresim konkret për pensionet të cilat do t’i trashëgojnë familjarët e tyre, mundësinë e punësimit të familjarëve të minatorëve, si dhe bursa për fëmijët e minatorëve pas rritjes së profitit në këtë ndërmarrje.

“Sapo të kthehem në zyrë do t’i përpara detyrat e mia dhe me kabinetin tim do t’i kryej këto detyra” tha kryeministri, duke premtuar se deri më 20 tetor, sërish do të vijë në “Trepça” për të raportuar për realizimin e punëve që janë bërë.

Haradinaj ka paralajmëruar nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi ndërmjet punëtorëve dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE) në mënyrë që “t’i mundësohet punësimi fëmijëve të minatorëve në rastin e vdekjes, pamundësisë për të ardhur në punë, si dhe invaliditetit”.

Gjithashtu, tha se do të shikohet mundësia që të bëhet ligji për pensione dhe invalidë të punës, ku do të përcaktohej që pensionet të jenë 70 për qind e mesatares se tre muajve të fundit para pensionimit.

Haradinaj tha se “Trepça” nuk ka rëndësi vetëm ekonomike për Kosovën, por edhe rëndësi politike e sociale.

Qazim Jashari, drejtor i Minierës në Stanterg, i ka thënë kryeministrit Haradinaj se për t’i arritur objektivat duhet investim dhe përkrahje nga Qeveria. “Besojmë se do të filloj implementimi i ligjit, do të zgjidhet bordi dhe do të filloj zhvillimi i mbarë me projektet që janë bërë nga ekspertët vendor”, tha ai.

Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, paraqiti para kryeministrit kërkesat dhe shqetësimet lidhur me gjendjen e krijuar nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i menaxhmentit aktual.

Ai kërkoi që të bëhet ligji për pensione dhe invalidët e punës, i cili do të mundësonte që pensionet për të pensionuarit në Trepçë të jenë 70 për qind e mesatares së tri rrogave të fundit para pensionit; që punëtorëve të Trepçës t’ju njihet përvoja e punës nga vitet 90 e tutje; të arrihet një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sindikatës dhe Menaxhmentit të Trepçës me qëllim që t’ju mundësohet punësimi i një fëmije, të gjithë atyre punëtorëve që kanë vdekur, vdesin, pensionohen dhe atyre që nuk kanë pasur mundësi të kthehen në punë; dhe të garantohet se nuk do të ketë privatizim të “Trepçës”.

Mes tjerash, Haradinaj i ka siguruar minatorët se nuk do të ketë privatizim të “Trepçës” dhe se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që të aktivizohet të gjitha njësitet e “Trepçës”.

Premtim tjetër ishte se Qeveria që ai drejton do të ndërmarrë hapa për krijimin e Bordit Mbikëqyrës, sikur parashihet me Ligjin për Trepçën.

Të ngjashme